Vijon mes shiut e të ftohtit protesta para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve. Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm janë mbledhur te Kryeministria.
Protestës i janë bashkuar edhe emigrantë, të cilët kanë ardhur për t’iu bashkuar qytetarëve kundër rritjes së çmimeve. Një prej tyre tha se ka qenë punonjës në qeverinë “Rama1”, por është detyruar të largohet nga Shqipëria, pasi pagat janë shumë të ulëta dhe çmimet të larta.
“Sot vij direkt nga Italia për të mbështetur popullin në këtë protestë. Kam ardhur për të kundërshtuar në mënyrë kategorike rritjen e çmimeve, pasi jemi të parët ne emigrantët që goditemi nga rritja e çmimeve, sepse jemi ne që mbajmë prindërit tanë me bukë. Me 100 mijë lekë pension që u japin këta, nuk iu mjaftojnë as për ilaçe. Kurrë nuk do i lejojmë të na marrin dhe kafshatën e fundit. Këta e dinë shumë mirë që 70% e familjeve shqiptare mbijetojnë falë emigrantëve.
Këtyre t’iu vijë turp që e trajtojnë popullin shqiptar si primitiv, dhe sot në 2021 ngrenë çmimet, kur pagat janë më të ulëta se vendet e rajonit. Këta janë mësuar duke shtypur, vjedhur, kërcënuar. Kështu do të kemi një brez të ri pa shpresë, që i janë vrarë ëndrrat. Një brez që është gati të paguajë 25 mijë paundë për të ikur në Angli, duke rrezikuar jetën nën kamionë.
Unë jam punonjës i qeverisë ‘Rama 1’, ndërsa sot jam emigrantë. Jam detyruar si qindra e mijëra të diplomuar të braktisë Shqipërinë, pasi nuk e gjej dot veten këtu, pasi pagat janë të ulëta dhe çmimet shumë të larta. Jam kthyer sot këtu për të mbrojtur dinjitetin, për t’iu kthyer dinjitetin shqiptarëve”, tha emigranti.