Financat e shtetit shqiptarë janë realisht në situatë të vështirë, pasi Ministria e Financave, me email-in e fundit që ka nisur për të gjithë shkollat e vendit, i kërkon që të rikthejnë fondet e lira dhe të mbajnë vetëm për dy pagat e radhës për mësuesit.
Denoncimi i publikuar në media tregon se kriza ekonomike duket se është më afër seç mendohej.
“Ministria e Financave u kërkon të gjithë institucioneve të arsimit, kthimin pas të të gjithë fondeve të lira (të pagave) . Duke u lënë shkollave vetëm pagesat e mësuesve për muajt tetor dhe nëntor. Pjesa tjetër duhet tu kthehet pas Ministrisë”, thuhej në emailin e publikuar në faxnews, nën emrin e ministrisë së Financave.
Sipas ministrisë kjo po bëhet për “disa shërbime prioritare të qeverisë”. Njoftimi me email u ka shkuar të gjitha shkollave duke i pyetur se sa lekë kanë gjendje.
Ndërkohë më herët gjatë ditës u mësua Shqipëria po bëhet gati të dalë në tregje ndërkombëtare për një Eurobond të ri deri në vlerë 700 milion euro. Ministrja e Financave tha se borxhi i huaj do të merret për të mbuluar nevojat e buxhetit. Pas mbledhjes me ministrat, u bë me dije se qeveria ka përgatitur edhe një memorandum që do t’i japë jetë iniciativës së Open Balkan.
Sipas ministres së financave, Delina Ibrahimaj, kërkesa për valutë të huaj pritet deri në vlerë 700 milion euro, në një kohë kur të jetë balancuar tregu valuator, ndërsa ka shpjeguar edhe shpërndarjen e këtij fondi.
Shqipëria ka sot nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon dhe ndër më të lartit në Europë. Për ministrinë e Financave, borxhi publik ka arritur në 76% të PBB-së, ndërsa për Bankën Qendrore dhe FMN-në ai arrin në 80% të PBB-së. Në deklaratën e fundit të Fondit Monetar, borxhi i përgjithshëm i qeverisë parashikohet të jetë 80% e PBB-së, në fund të vitit 2021.