Kryeministri Rama deklaroi gjatë seancës së sotme plenare se qeveria ka në plan që të dërgojë dy satelitë në hapësirë deri në vitin e ardhshëm. Sipas kryeminsitrit, do të jenë dy satelitët “Albania1” dhe “Albania2” që do të fluturojnë në hapësirë gjatë vitit tjetër, ndërsa nuk dha më detaje se si do të realizohet ky projekt.
Deklarata e tij bëri bujë sot në media dhe në rrjetet sociale duke marrë mjaft komente mbështetëse dhe ironizuese. Pavarësisht sherreve dhe shamatës së çdo jave, deklarata të këtij niveli, edhe prej vëmendjes që marrin, bëhen rrallë në parlamentin e Shqipërisë, prandaj më poshtë rendisim disa nga thëniet më të bujshme të Ramës në Parlament.
Rama: Ju dukën mushkonjat si avionë
Ndërkohë që opozita e akuzonte në fillim të mandatit të tij të parë se vendi ishte kthyer në një qendër të trafikut të lëndëve narkotike përmes avionëve të vegjel që uleshin nga jugu në veri, kryeministri Rama i qesëndiste ata duke thënë se iu dukeshin mushkonjat e Myzeqesë si avionë. Nuk zgjati shumë dhe nga këto “mushkonja” u rrëzua në Divjakë duke u bërë avioni i parë që përdorej për transport kanabisi që kapej në vend. Më pas, ai do të ndiqej nga avionë të tjerë që do të pësonin defekte teknike apo përplaseshin në territorin shqiptar duke qenë plotë më kanabis.
Rama: Të rinjtë nga Korça marrin paga deri në 8 mijë euro
Kryeministri Rama deklaroi në shkurt të këtij viti se janë të paktën 100 të rinj të Korçë që marrin paga nga 1 mijë deri në 8 mijë euro për shkak të punës që bëjnë sipas tij në internet. Rama tha se të rinjtë ofronin shërbime për kompani të huaja nëpërmjet internetit prandaj edhe kanë të ardhura kaq të larta. Deklarata u shpërnda shumë në rrjetet sociale, ku një pjesë bënë edhe ironi, por Rama iu përgjigj duke i takuar disa nga këta të rinj që sipas tij merrnin paga deri në 8 mijë euro.