Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes një njoftimi për shtyp informon se operacioni kishte qëllim arrestimin e shtetasit të identifikuar me inicialet F.P i cili akuzohet se krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal i cili bënte të mundur që të dërgonte sasi të ndryshme me lëndë narkotike (kokainë dhe marihuana) në Norvegji.
Jo vetëm kaq ai kishte krijuar edhe një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike (kryesisht kokainë dhe mariuhana) në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare
“Shtetasi shqiptar F.P. ka krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal i cili bënte të mundur që të dërgonte sasi të ndryshme me lëndë narkotike (kokainë dhe marihuana) në Norvegji, sasi këto që shiteshin nga përfaqësuesit e tij në këtë shtet. I hetuari F. P. ka arritur gjithashtu që të krijojë një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike (kryesisht kokainë dhe mariuhana) në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare. Të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike dërgoheshin tek shtetasi nën hetim F. P. dhe referentët e tjerë të tij me anë të agjencive të transferimit të parave apo edhe cash” informon SPAK.
Sot policia ka ekzekutuar masën e sigurimit ndaj shtetases A. A., ndërsa është proceduar me nxjerrjen e një urdhër kërkimi ndërkombëtar për shtetasin F.P. Ndërkohë edhe autoritetet gjyqësore norvegjeze kanë proceduar me ekzekutimin e masave të sigurimit dhe ushtrimin e kontrolleve në territorin e tyre.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit realizoi kontrollin e disa banesave dhe kontrollin personal të disa shtetasve në qytetet Tiranë dhe Lezhë. Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të ndryshme me interes për hetimin.