Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka mohuar sot se ujësjellësit kanë borxhe apo fatura të papaguara energjie. Ai tha se janë punë në proces të cilat paguhen në raport me faturat e dorëzuara.
Ahmetaj foli për reformën e ujit, e cila tha se do të prezantohet së shpejti, teksa e cilësoi buxhetin e 2022 më të madhin në historinë e Shqipërisë.
“Nuk ka borxhe të papaguara, janë punë në proces të cilat paguhen në raport me dorëzimin e faturave dhe me pagesën e faturave nga privatët të TVSH-së.
Me buxhetin e këtij viti në fund, me aktin e ri normativ që do të bëjmë në fund të vitit do të ketë gjithashtu pagesa shumë të mëdha për të gjithë projektet e infrastrukturës, qoftë në infrastrukturën rrugore, qoftë në infrastrukturën e ujit dhe avancimi i punëve do jetë i përputhur i gjithi me pagesat për detyrimet që kemi ndaj kontraktorëve.
E njëjta gjë ndodh dhe me vitin tjetër. Besoj shumë shpejt që ministrja së bashku me kryeministrin do të paraqesin dhe reformën e ujit që do të jetë dhe një ndër reformat e mëdha në mandatin e tretë.
Buxheti i vitit 2022 është buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, do ta quaja pa asnjë lloj dyshimi është buxheti i dixhitalizimit, buxheti i shërbimeve ndaj qytetarëve, buxheti i infrastrukturës gjigante, që nga tuneli i Llogarasë, që nga Unaza e Tiranës, që nga Skavica, e shumë projekte të tjera, hekurudha, porti i ri i Durrësit.
Jemi përpara buxhetit më të madh në historinë e Shqipërisë dhe buxhetit që fokusohet tek qytetari, tek shërbimet ndaj qytetarit, tek infrastruktura në funksion të qytetarit, sipërmarrjes”, deklaroi Ahmetaj.