Deputeti i LSI, Petrit Vasili gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit u ndal te borxhi i huaj.
Ai tha se pritet të merren rreth 700 mln euro borxh, ndërkohë sipas tij, në vetëm 6 vite janë marrë gjithsej 2.3 mld euro borxh.
Vasili nënvizoi se ata moralisht nuk do e votojnë këtë projektligj, pasi sipas tyre është në dëm të shqiptarëve, në një kohë kur vendi po përballet me vështirësi të shumta.
“Ditën që miratohet një akt ku do të merren 700 mln euro borxh, ka folur një kryeministër broçkulla dhe nuk dha shpjegime. Kjo është ditë e zezë për parlamentin shqiptar. Kjo qeveri del për të katërtën herë me këtë procedurë dhe që nga viti 2015, ka marrë në total 2.3 mld euro. Ka qenë një nga momentet më tragjike dhe me një element të lehtë komik.
Pra ne po e rëndojmë dhe dërrmojmë ekonominë e këtij vendi me borxh pas borxhi. Janë 2.3 mld euro, çfarë ndodhi me to? Çfarë u prodhua? Në të kundërt të gjithçkaje, shohim të njëjtën mjerim dhe mld euro të marra borxh kanë bërë që jeta të jetë ende e vështirë dhe shqiptarët të ikin pa u ndalur. Është një ekonomi që jeton duke larë borxhin me borxh. Kjo është krenaria më e madhe e kësaj qeverie. Ku është eficenca e ekonomisë? Po rrisqet ndaj të cilave ekspozohemi? I gjithë ky eurobond është një rrisk që bie mbi shqiptarët, sepse pavarësisht se këta e konsiderojnë eurobondin një thes të tyre.
Kjo është mazhoranca? Që shpërdoron interesin publik? Këtu jemi në sallë dhe asnjë nga kolegët e mi nuk thonë dot se cilat janë gjërat thelbësore. Nuk thonë dot se çfarë kanë prodhuar. Dëgjuam se do të merren 700 mln euro borxh. Mua më ka bërë përshtypje mbështetja entuziaste dhe votimi i deputetëve të mazhorancës, sikur borxhlinjtë ndahen. E gjithë ngarkesa e madhe e borxhit mbetet mbi kurrizin e njerëzve. Kjo do të votohet, por ne kemi një avantazh jo të hidhur, sepse nuk e votojmë, por çfarë do i thonë shqiptarëve, sepse kanë dhe huq se duartrokasin se morën borxh. 2.3 mld euro janë marrë borxh? Po ç’janë bërë me këto para. Cili qe halli i madh i shqiptarëve që u zgjidh me paratë e marra borxh. Këto koncesione rrugës që kemi marrë, a i kemi përfunduar deri në fund? Kjo është logjika. Me këtë lloj vulgariteti të poshtër, absolutisht nuk shkohet përpara. Ne jemi këtu t’i hapim sytë shqiptarëve”, tha Vasili.