Kafshimet e Lul Bashës!

0
310

Shkruan: Gëzim Saliu

Në një situatë tejet të vështirë brenda partisë për shkak të tërmetit që po shkakton “Foltorja” e doktorit dhe në një terren akoma edhe më të thepisur përballë mazhorancës qeverisëse e cila u rikonfirmua për të tretën herë në pushtet, Lulzim Basha ka sjellë para shqiptarëve fabulën e ‘trimit të mirë’ përballë tiranëve të këqinj të politikës (Rama-Berisha-Meta). Në përplasjen e përjavshme në Parlament me kryeministrin Rama, kryedemokrati ende në detyrë kujtoi me krenari dhe me një sjellje prej ‘danoçi’ se ja kishte treguar një herë dhëmbët Ramës e se nga ky kafshim i tij, sot e kësaj dite i kishin mbetur shenjat (referuar fitores së vetme politikë përballë kundërshtari politik, garën për kryebashkiak në 2011-ën).

Për atë që ndoshta nuk e kanë dëgjuar, po j’ua përcjell e bardha në të zezë deklartën e sotme të Bashës nga “foltorja” e parlamentit:  “Njëherë që të kafshuan u zhduke tre javë, s’i the as partisë ku shkove, apo e ke harruar? Njëherë që të kafshuan dhëmbët e mi, tre javë u zhduke fare, vetëm unë edhe ti e dimë se ku shkove, nga burime të ndryshme. Po ajo të dhemb ty, bankomati i 2011 të dhemb më shumë se çdo gjë tjetër, ai të dhemb më shumë se çdo gjë tjetër. Shenjat i ke, s’të ikin, s’të del e keqja.”.

Por ajo që Basha nuk thotë është pjesa se si u arrit kjo fitore, e cila qartësisht për çdokënd që e ka ndjekur atë proces live, përfshi këtu edhe demokratët, ka kuptuar se rezultati u vendos pasi kishte përfunduar koha zyrtare e ndeshjes ( madje as në shtesa). Ishte ideja brilante e Berishës ajo për votat e gabuara në kuti dhe ndihma e Arben Ristanit si kryetar KQZ-je në atë kohë, që i dhanë dorë Bashës në triumfin e parë dhe të vetëm që regjistron në politikë në përballjen me kundërshtarin historik, PS.

Qartësisht Lulzim Basha është në ditët e tij më të këqija; Nga njëra anë është rezultati terribël në zgjedhjet e 25 prillit i cili  ka sjellë pasoja edhe më të rënda në numrat e mbështetjes të Bashës tek elektorati, të cilat tanimë kanë zbritur nga 19 % në vetëm 10 % sipas sondazheve të fundit; Nga ana tjetër, ai po përjeton edhe braktisjen më të madhe nga anëtarësia demokrate, e cila si kurrë ndonjëherë në këto 8 vite, po shprehet lirshëm dhe po nxjerr mllefin e akumuluar ndaj tij për kauzat e tradhëtuara dhe humbjet e ripërsëritura.

E gjitha sa më sipër vjen si pasojë e një prej vendimeve më antidemokratike të ndërmarra në 30 vite në partitë politike shqiptare; përjashtimin e paraardhësit nga partia me vendim personal, pa mbledhur as formalisht strukturat e larta vendimmarëse të partisë!

Pa i hyrë arsyeve që e ‘detyruan’ , shtynë apo nxitën Bashën drejt këtij vendimi, vlen të theksohet se nga dita e këtij vendimi e deri sot, artikulimi i kryedemokratit ka rrëshqitur në mungesë të theksuar të logjikës, duke sjellë deklarata sa kontradiktore aq edhe të pabesueshme për publikun e gjerë. Në ditën që shpalli vendimin për Berishën, Basha do të shprehte gjithë admirimin e tij për figurën e parardhësit të tij, duke e cilësuar si “udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për demokracinë.”. Po sot, vetëm 1 muaj nga ai vendim, çfarë ka ndikuar që Basha e vendos Berishë , që realisht e krijoi Bashën si produkt politik, në të njejtën llogore me Edi Ramën? A mund të përfshihet kjo alogjikë e fortë e tij në historinë e ‘kafshimeve’ politike?!

Lulzim Basha erdhi në PD në vitin 2005, si një prurje personale e Sali Berishës, pa asnjë kontribut të mëparshëm në selinë blu. Në saj të mbështetjes së doktorit, Basha e nisi karrierën e tij në PD me një detyrë të rëndësishme, duke marrë rolin e koordinatorit të Komitetit të Orientimit të Politikave, ndryshe KOP. Më pas historia dihet: Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, Lulzim Basha me vendim të Berishës u bë Ministër i Transporteve, detyrë të cilën e mbajti për rreth dy vite. Në vitin 2007, Lulzim Basha me vendim të Berishës u emërua Ministër i Punëve të Jashtme.Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në të cilat Lulzim Basha u zgjodh deputet i Elbasanit, ai u emërua si Ministër i Brendshëm në qeverinë e re Berisha 2.  E gjithë karriera politike e Lulzim Bashës do ishte një hiç, nëse ajo nuk do kishte ‘rastistur’ në rrugën e saj Sali Berishën. Ndaj sot ‘kafshimi’ i Lul  Bashës ndaj Berishës duke e përfshirë doktorin në të njejtën llogore me kundërshtarin politik Rama, mban vetëm një emër; PABESI!

Të vazhdojmë më tej…

Pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, ku PD humbi pushtetin, Lulzim Basha mori drejtimin e Partisë Demokratike. Në një garë, ku qartazi mbështetja e pakursyer e stukturave qendrore i dha Lulzim Bashës avantazh të theksuar përballë kundërshtarit të brendshëm, të ndjerit Skol Olldashi. E nga ajo ditë Basha nisi karrieën si kryetar i në prej forcave politike kryesore të Shqipërisë, me histori të lavdishme në këto dekada. Por shkëlqimi i PD-së nuk u arrit asnjëherë nga Lul Basha, vetëm brilantina e shtuar në makiazhin e kryetarit ishte në të njejtin stad me historinë e partisë.

Basha regjistron katër humbje përballë mazhorancës socialiste, ndërsa mban mbi supe edhe bilancin e vendimeve të paprecedenta, ato për djegien e mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve lokale. A mund të përfshihen këto ‘arritje’ në historinë e ‘kafshimeve’ politike të Lul Bashës?!

Por krahas betejave politike përballë kundërshtarit historik, Lulzim Basha ka një bilanc skëterrë edhe sa i përket kauzave publike për të cilat është përbetuar publikisht për zgjidhjen e tyre dhe në fund dëhsimi ka kaluar në heshtje.

1-A e mbani betejën për Parkun te Liqeni Artificial i Tiranës, ku në muajt e parë të vitit 2016, Lulzim Basha dhe opozita u rreshtuan kundër ndërtimit të tij. Më 31 mars 2016, kreu i PD tha se nëse situata nuk do ndryshonte, beteja e opozitës do të ridimensionohej dhe do të shtrihej në dimensionin publik. Ndryshimi nuk erdhi dhe parku i lojërave në Liqenin Artificial u përurua nga kryetari i Bashkise Erion Veliaj më 1 qershor 2016. A përfshihet edhe kjo ndodhi në historinë e ‘kafshimeve’ politike të Lul Bashës?!

 

2-Vazhdojmë me betejën e opozitës në vitin 2017 e cila u zhvendos nga parlamenti në “Çadrën e Lirisë”, e cila qëndroi përballë Kryeministrisë për 3 muaj dhe që në fund u mbyll turpshëm me marrëveshjen okulte mes Ramës e Bashës në mesnatën e 17 majit. Ndër denoncimet e shumt të Bashës në atë kohë, sihte edhe ai kundër emërimit të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, i cili u përzgjodh nga kryeministri Rama për të zëvendësuar ish-ministrin Saimir Tahiri. Më 17 mars 2017, kryeopozitari deklaronte: “Fatmir Xhafaj e kalon pragun e ministrisë së Brendshme vetëm mbi trupat tanë”. E gjitha rezultoi vetëm një deklaratë boshe, pasi Fatmir Xhafaj mori detyrën pa kaluar mbi trupin e ndokujt. A përfshihet edhe kjo ngjarje në historinë e ‘kafshimeve’ politike të Lul Bashës?!

 

3-Gjatë qëndrimit në “Çadrën e Lirisë”, Basha përsëriti për 3 muaj me radhë: zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën kryeministër. Ky qëndrim vijoi deri më 17 maj 2017, kur dy rivalët politikë arritën marrëveshjen e famshme e cila u përball me qepallimin publik Rama-Basha në dyert e Kuvendit. Nga ajo ditë, Basha e harroi përbetimin për zgjedhje pa Ramën kryeministër, ndërsa në atë vit regjistroi edhe rezultatin më katastrofik të PD-së në historinë e saj. A përfshihet edhe kjo ‘arritje’ në historinë e ‘kafshimeve’ politike të Lul Bashës?!

 

4-Një tjetër sfidë e ndërmarrë mbi supe nga opozita ishte ajo për ndalimin e shembjes së shtëpive tek zona e “Astirit”, si pjesë e projektit të Unazës së Re të Tiranës. Në një deklaratë për mediat, më 24 nëntor 2018, Basha pohoi: “Asnjë centimetër nuk do të përparosh. Kjo është vija e kuqe për ty, kjo është vija e kuqe për të gjithë shqiptarët”.  Por në të vërtetë, më 12 nëntor të vitit 2019, 33 objekte u shembën tek “Astiri”, si pjesë e planit të qeverisë për t’i hapur rrugë projektit të unazës së Re. A përfshihet edhe kjo ngjarje në historinë e ‘kafshimeve’ politike të Lul Bashës?!

5-Pas djegies së mandateve në parlament në shkurt të vitit të kaluar, opozita refuzoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit me Rama kryeministër. Në një deklaratë për “Opinion” më 20 qershor 2019 Basha pohoi se: “Në 30 Qershor nuk ka zgjedhje! Procesi farsë nuk do të njihet nga askush.” Por çfarë ndodhi: Zgjedhjet u zhvilluan më 30 qershor, pavarësisht faktit se mazhoranca shkeli dekretin e Presidentit. A përfshihet edhe ky zhvillim në historinë e ‘kafshimeve’ politike të Lul Bashës?!

Lulzim Basha sot po mundohet dëshpërimisht t’ju përcjellë shqiptarëve një fabul e cila fatkeqësisht për të, nuk ngjit. Basha po e stigmatizon veten dhe përkrahësi e tij në PD si pala e kulluar e politikës e cila po ‘detyrohet’ ë përballe me të keqen, e cila tani sipas Bashës, nuk mban vetëm emrin e Edi Ramës, por edhe të Sali Berishës e Ilir Metës. Këta  fundit janë dy ndër burrat e politikës që kanë sakrifikuar edhe nga kapitali vetjak apo partiak, duke marrë mbi supe faje që nuk u takonin, vetëm e vetëm për të përcjellë te qytetarët Bashën si lider. Berisha e ka bërë këtë pëgjatë gjithë këtyre 8 viteve, që nga mbështetja pas humbjes katastrofike të 2017-ës e deri së fundmi te zgjedhjet e fundit brenda partisë. E gjitha në kuadër të synimit për ringritjen e PD-së dhe rikthimin e saj në pushtet, gjë e cila nuk mund të arrihej po të mos amplifikhej në publik Basha si një lider.

Ndërsa Ilir Meta ka qenë ai që në vitin 2017 thuajse e rrëzoi Ramën nga qeveria, pasi edhe pse ishin aleat, nuk i dha mbështetje në përballjen me demokratët, duke kërkuar konsensus. Meta mund ta kishte fare të lehtë të rikonfirmonte koaliconin me Ramën, pasi ftesa nuk i mungoi, dhe të mbante LSI_në edhe për 4 vite  tjera në pushtet. Përkundrazi, Merta zgjodhi rrugën e kundërt me interesat e ngushta personale apo edhe partiake, duke i shkelur syrin jo pak herë Bashës gjatë kohës që ky i fundit ishte në çadër.  Madje shpesh është përfolur nga rilindasit se ka mbajtur gjallë edhe Çadrën e Lirisë, e cila shpeherë sipas tyre, mbushej me militantët e LSI-së, për të mos rrezikuar fikjen e kauzës. Por më pas historia dihet, Basha zgjodhi ‘dealin’ e mesnatës me Ramën, nga ku i humburi më i madh doli PD-ja.

E më pas po Ilir Meta, të cilin Basha nuk la gjë pa i thënë në fushatën e 2017-ës, kësaj radhe në postin e Presidentit, i dha të vetmen fije shprese  për tu kapur pas bojkotit të turpshëm të zgjedhjeve lokale me dekretin për datën e re të zgjedhjeve. Ishte pikërisht mos respektimi i datës së re të zgjedhjeve, kauza që mbajti demokratët në këmbë, pasi përbetimi publik i Bashës për mos zhvillimin e zgjedhjeve në 30 Qershor u harrua dhe u mbyt në heshtje si shumë të tjerë.

Pikërisht këta njerëz sot Basha po i quan pjesë e llumit, duke i dhënë, ndoshta pa e ditur, goditjen finale vetes në kuadër të karrierës politike në vazhdim.

Dhjetori rezervon surpriza!

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here