Ministrja e Bujqësisë premton sërish: Do të çojmë panele diellore në stane, t’u lehtësojmë punën profesionistëve

0
113

Barinjtë në Shqipëri marrin një tjetër premtim nga ministrja e bujqësisë Frida Krifca e cila deklaroi sot se do të dërgojnë panele diellore në stane.

Këtë nismë Krifca tha se e ka ndërmarrë që në 2018 kur ishte drejtoreshë e AZHBR dhe do të vijojnë ta mbështesin sipas saj që t’u lehtësojnë jetën profesionistëve në këtë fushë.

“Që në periudhën si drejtoreshë e Azhbr jam konsultuar me ekspertët e bujqësisë dhe me donatorë, Gizi ka qenë një partner ne kemi filluar që në 2018 të mbështesim stanet me infrastrukturën e nevojshme dhe me panele diellore që të lehtësojmë jetën e këtyre profesionistëve në fushë e vetë dhe është një program që do të vazhdojmë ta përforcojmë pikërisht për të ruajtur traditën në fusha të tilla.

Kjo nuk është vetëm e shprehur në blegtori dhe në zanatin e barinjve por edhe në zanate të tjera të fermerëve të rinj që i bashkohen trupës së bujqësisë, do të kemi mundësi në vijim të shpalosim programin më tutje”, tha Krifca.

Këtë deklaratë ministrja e bëri teksa sqaroi atë të katër ditëve më parë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese,  ku tha se do të hapet një akademi barinjsh.

Kjo deklaratë e ministres ka  ngjallur jo pak zhurmë mediatike. Për ta qartësuar Krifca ka sqaruar sot se kjo akademi është marrë shembull nga vendet e botës që e aplikojnë si Zvicra apo Spanja dhe se kjo bëhet për të ruajtur traditën në këtë zanat duke afruar sa më shumë të rinjtë.

Në Komisionin e Ekonomisë sot është shqyrtuar buxheti i Ministrisë së Bujqësisë. Gjatë fjalës së saj, gjithashtu ministrja theksoi se buxheti i 2022 do të jetë një mbështetje e lartë për fermerët dhe jo vetëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here