Frederic Veseli, i cili luan me ekipin e Salernitanës në Itali, dili sot në konferencën për mediat, ku foli për sfidën e 12 nëntorit me Anglinë në “Wembley”.
Mbrojtësi kuqezi u shpreh se në ekip atmosfera është e mirë dhe se djemtë besojnë se mund t’ia dalin, pasi edhe në ndeshjen e fundit ndaj anglezëve, ekipi ka bërë një paraqitje të mirë.
Ai foli edhe për mbrojtjen kuqezi, si një nga shtyllat e kësaj Kombëtareje, teksa foli edhe për mungesën e Gjimshitit.
Atmosfera në ekip – Atmosfera është e mirë deri tani dhe për mrekulli besojmë çdo herë. Më tepër se mrekulli është një ëndërr, kemi dhe pak shanse dhe do të japim maksimumin tonë. Na ka mbetur edhe pak peng ndeshja me Poloninë, ku kemi pasur vërtetë mundësinë për të marrë të paktën një pikë sepse e kemi treguar veten në fushë.
Ndeshja ndaj Anglisë – Edhe në ndeshjen e fundit me Anglinë, besoj se kemi bërë një paraqitje të mirë. Gati të gjithë lojtarët e mbrojtjes luajnë në Serinë A, një kampionat ku niveli i mbrojtësve është shumë i famshëm. Është kënaqësi të luash kundër Harry Kane dhe të tjerëve. Secili të japë maksimumin e vet, ne të gjithë kemi vetëbesim dhe mirëkuptim njëri me tjetrin dhe kush luan më mirë dhe kush ka më shumë fat, e fiton ndeshjen.
Gjendja fizike – Sinqerisht kam mundësi, kam qenë me Covid për dy javë dhe kam një javë stërvitje. Dy ndeshjet e fundit ndaj Hungarisë dhe Polonisë kam qenë i dëmtuar me ligament në gju për dy muaj dhe pata vetëm një javë e gjysmë stërvitje. Besoj se e kam treguar veten nga çdo anë që isha gati dhe këtë herë nuk është asgjë ndryshe. Me këtë javë që bëra stërvitje në fushë me ekipin kam dhënë maksimumin. Kemi edhe disa ditë për t’u stërvitur. Unë jam gati, pastaj vendos trajneri, por me vetëbesim unë jam gati.
A mund t’ia dalë Kombëtarja në këto dy ndeshje? – Si grup mund t’ia dalësh. Nëse punon mirë, mund t’ia dalësh. Por ndikojnë shumë dyluftimet, secili duhet të marrë përgjegjësitë dhe të luajë një kundër një dhe të japim maksimumin për mos t’i humbur. Pastaj, edhe ndihma e shokut do të ishte edhe më e mirë. Gjëja më e rëndësishme për t’u mbrojtur kundër lojtarëve të Anglisë do të ishte të pranonim dyluftimin individual.
Mungesa e Gjimshitit? – Mungesën e Gjimshitit e vuajmë. Berati është një lojtar me shumë cilësi dhe luan shumë mirë. Të gjithë jemi gati ta zëvendësojmë, si ka ndodhur edhe në dy ndeshjet e fundit ku e zëvendësova unë. Çdo ekip ka dëshirë të ketë ekipin komplet. Secili lojtar ka përparuar në vitet e fundit dhe e kemi rritur nivelin e Kombëtares dhe mund ta zëvendësojmë njëri-tjetrin shumë lehtë.