Kush janë 10 kompanitë me fitimet më të mëdha në Shqipëri; Koncesionet dhe ndërtimi më fitimprurëset

0
125

2020-a i kapi papritur bizneset, me shpërthimin e pandemisë që devijoi gjithë planet e pritshmëritë e tyre. Karantina dhe ndryshimi i sjelljes konsumatore i vunë sipërmarrjet në vështirësi. Misioni kryesor, nga rritja organike dhe zgjerimi, u bë kalimi me sa më pak pasoja i krizës më të thellë që njohu ekonomia, të paktën që nga viti 1997. Dhe të paktën për fitimet, sipërmarrjet e mëdha duket se ia arritën këtij qëllimi.

Ekonomia e shkallës, përvoja në treg, reagimi i shpejtë, orientimi drejt teknologjisë së informacionit (si puna në distancë, apo shitjet online), apo edhe marrja përsipër e riskut nga shteti në rastin e kontratave koncesionare dhe lulëzimi i mëtejshëm i tregut të pasurive të paluajtshme (jo pak i çuditshëm në kushtet e një trendi demografik të qartë në rënie), bënë që shumë biznese të mëdha të ruanin fitime të kënaqshme, ndonëse u përballën me rënie të të ardhurave.

Si çdo vit, Revista publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas atij të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, që bazohen në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, sipas këtij treguesi në vitin 2020 ishte 83 miliardë lekë, me një tkurrje prej 5% në krahasim me 200 më të mëdhenjtë e një viti më parë. 62% e sipërmarrjeve raportuan rritje të normave të fitimeve. Edhe në vlerë, 63% e kompanive deklaruan rritje të fitimeve.

Këto rezultate pozitive u arritën ndonëse nga e njëjta listë, vetëm 42% e sipërmarrjeve raportuan rritje të qarkullimit vjetor, në një tregues që bizneset kanë nxituar të shkurtojnë shpenzimet (përfshirë punonjësit) me ritme më të larta sesa të ardhurat, në mënyrë që të ruanin produktivitetin dhe fitimet.

Edhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) gjeti se produktiviteti i punës në Shqipëri ka shënuar rritje në kulmin e pandemisë, me vlerën e prodhimit për një të punësuar, që u zgjerua me gati 5% në vitin 2020, me bazë vjetore. Edhe të dhënat e INSTAT tregojnë se pandemia ka dëmtuar punësimin më shumë se sa prodhimin, me rreth 43 mijë persona që dolën nga tregu i punës për shkak të pandemisë dhe krizës së shkaktuar prej saj.

Modeli “parazitar” i ekonomisë u përforcua

2020-a nxori në pah më tej modelin “parazitar” të ekonomisë, që nxit dhe promovon biznese, të cilat kanë fitime të larta e të lehta, por nuk i kanë sjellë vlerë të shtuar ekonomisë dhe as kanë promovuar investimet produktive. Sipërmarrjet e industrisë përpunuese rezultojnë me fitime minimale dhe nivel të ulët të qarkullimit vjetor, duke mbetur të vogla dhe pa investime domethënëse.

Më pak fitime, do të thotë më pak investime, që në afat të mesëm e fut ekonominë në një rreth vicioz të mungesës së produktivitetit, ndërsa konkurrenca nga jashtë sa vjen e shtohet, edhe për shkak të hapjes së tregjeve. Rezultatet e këtij modeli ishin të dukshme në vitin 2020, kur sidomos kompanitë eksportuese u goditën rëndë nga rënia e kërkesës dhe ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit, duke e pasur të vështirë të përshtaten.

Nuk ndodhi e njëjta gjë me homologet e rajonit, sidomos në Serbi e Maqedoninë e Veriut, që prej vitesh janë hapa para nesh në sofistikimin e sipërmarrjeve dhe të produkteve që ato prodhojnë. Këto dy vende, të cilat kanë investuar në prodhim dhe kanë eksporte me vlerë të shtuar të lartë panë një tkurrje të ulët (me 2-3 pikë përqindje) të eksporteve të mallrave e shërbimeve, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, sipas Bankës Botërore.

Shqipëria vijoi ta ketë këtë tregues ndër më të ulëtin në rajon, dhe në vitin 2020 zbriti në 23% të PBB-së (- 8 pikë përqindje), nga përkatësisht 52% dhe 58%, që ishin këta tregues për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Bizneset “dembele”, me fitime të garantuara nga marrja e një koncesioni në ofrimin e shërbimeve ekskluzive, në vitin pandemik treguan se në pjesën më të madhe, riskun financiar e ka marrë përsipër shteti. Nga 12 sipërmarrje koncesionare që janë në listën e kompanive më të mëdha sipas fitimeve në vend, 70% e tyre panë një rritje të normave të kthimit në 2020-n. Historikisht, këto biznese kanë norma fitimi dyshifrore, që do t’i kishte zili çdo sipërmarrje tjetër që vepron nën presionin e konkurrencës (të ndershme apo të pandershme) dhe që arrijnë deri në 70%.

Edhe në renditjen e 200 kompanive më të mëdha për vitin 2020, gati 10% e sipërmarrjeve janë koncesione të dhëna gjatë 20 viteve të fundit, njëlloj si në 2019-n.

Sektori i ndërtimit është i dyti me fitimet më të larta në vend, me rreth 15-20%. Ndërtimi vijoi edhe në 2020-n të tërheqë kapitalet e lira të sipërmarrjeve shqiptare, për shkak të kthimeve të larta, të ndihmuara edhe nga prurjet informale të valutës, duke rrezikuar krijimin e një flluske në momentin që këto burime do të shterojnë. 2020-a pa, si asnjëherë tjetër, rritje të kompanive të këtij sektori në listën e më të mëdhenjve, si për të ardhurat, ashtu edhe për fitimet.

Biznesi me shtetin (tenderat) mbetet po ashtu i preferuar. Normat e fitimit i kalojnë 15%, teksa gara në tendera, me sa duket, po bëhet gjithnjë e më shumë fiktive dhe në shumë raste, ofertat e kompanive fituese janë afër fondit limit.

Bankat shënuan një vit më të mirë sesa pritej, për shkak të masave, të iniciuara nga Banka e Shqipërisë për ristrukturimin e kredive dhe gjallërimin e ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit, ndonëse fitimet, për pjesën më të madhe të tyre, ishin në rënie.

Kompanitë tregtuese (karburanteve dhe mallrave që lëvizin shpejt nga rafti) kanë qarkullime të larta dhe ndonëse rezultojnë me norma të ulëta fitimi (2-6%), sidomos për karburantet ato janë të konsiderueshme në vlerë absolute.

Për sistemin bankar, 2020-a ka qenë një vit pozitiv, me norma kthimi rreth 30%, teksa i ka rezistuar pandemisë, me rezultate shumë më të mira sesa priteshin.

Tregtuesit e produkteve farmaceutike, ndonëse i rritën ndjeshëm të ardhurat në 2020-n, duke reflektuar kërkesën e lartë gjatë pandemisë, nuk kanë “shkëlqyer” te fitimet, si rrjedhojë e shtimit të kostove. Më të fituar ishin laboratorët e analizave dhe kompanitë e tregtimit të gazit për qëllime mjekësore.

Në një zhvillim pozitiv, pandemia nxiti teknologjinë e informacionit dhe kjo është e reflektuar dhe në numrin e lartë të sipërmarrjeve nga ky sektor, të cilat kanë hyrë në renditjen e fitimeve, me norma kthimi dyshifrore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here