Kryetari i degës së PD Vlorë Genc Doromema i cili doli kundër mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të partisë më 18 dhjetor, tregoi çfarë i ka thënë dje kryedemokratit Lulzim Basha. Në emisionin “Log.” me Endi Xhafon në Abc, Doromema tha se i ka thënë Bashës se ndodhet në mbledhje për respektuar kërkesën e delegatëve të Vlorës dhe se Kuvendi do mbahet në 11 dhjetor, datë e vendosur kjo nga Sali Berisha.
Mbrëmë Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi tha se nga 71 kryetarë degësh vetëm 5 të ishin kundër mbledhjes së Kuvendit më 18 dhjetor, por Doromema e kundërshtoi. Ai u shprehet se ishin më shumë se 5.
“Në mbledhjen djeshme nuk kanë qenë 5 kryetarë që kanë artikuluar drejtpërsëdrejti për vendimin e Pd, kanë qenë më shumë se 5. Tani t’ju gënjej me shifrën por kanë qenë 10 ose 12. Unë gjykoj që Basha por edhe PD në thelb nuk ka nevojë për njerëz që ta përkëdhelin dhe të mos thonë të vërtetën. Ato frima që janë në kasafortë janë delegatë, ata përbëjnë PD ata janë PD. Ne përfaqësojmë ata, ata na kanë votuar dhe në momentin që ata firmosin për të mbajtur një Kuvend si mundet ne të themi jo. Si mundet ne, ne me ata punojmë. Mbrëmë Bashën i kam thënë: jam këtu për respektuar kërkesën e delegatëve të Vlorës dhe kuvendi do mbahet në 11 dhjetor. Basha e ka kundërshtuar por unë ia kam bërë të qartë se do tu shkoj nga pas delegatëve të Vlorës. Mund ta them se janë mbi 75% pasi i kam konfirmuar dhe i kam parë vetë. Një pjesë i kam organizuar dhe vetë. Në mbledhje s’kanë qenë të gjithë kryetarët. Nuk kanë qenë të gjithë”, tha Doromemaj.
I ftuar në studio ishte dhe Eno Bozdo i cili tregoi si doli kundër Bashës.
“Qëndrimet e mia kanë qenë të qarta, kam kundërshtuar futjen në agjendë të shpejtë të zgjedhjeve të shpallura nga Basha. I kam kërkuar Bashës në një mbledhje që Kuvendin e qershorit ta kthente në një debat të mirëfilltë sepse sipas meje dhe shumë njerëzve në PD, kambana e humbjes për PD kishte rënë prej kohësh, manipulime kishte por nuk ishte humbja prej saj. Të mos harrojmë se ne këtë kohë Berisha dhe Basha ishin në një llogore. Berisha në letër ka më shumë figura që e mbështesin, Basha ma ka më shumë kundërshtarë”.