Deputeti i PD-së Edmond Spaho i cili është rreshtuar në krahë të ish-kryeministrit Sali Berisha e ka cilësuar korrekt qëndrimin e Presidentit të Republikës në përgjigjet e tij ndaj akuzave të kreut të PD-së Lulzim Basha.
Spaho tha në “Frontline” në News24 se nuk ka qenë në Gjermani, referuar ‘lutjes’ që Meta tha se i ka bërë Basha, por di se në 2018 në një vizitë në Bundestag iu është kërkaur të qëndrojnë në institucione.
“Presidenti Meta e shprehu qartë që kjo është çështje e brendshme e PD, nuk i takon të ndërhyjë, qëndrim korrekt. Për disa akuza ai mbajti qëndrimet e tij publike. Besoj që për sa i takon PD-së dhe Foltores kjo punë është e mbyllur, nuk kemi lidhje fare.
Nuk kam qenë në Gjermani, pasi flitet për një takim në Gjermani. Di që në prill 2018 një delegacion nga PD jemi ftuar në Bundestagun gjerman dhe nga i pari tek i fundit, të vetmen gjë që na kanë kërkuar me insistim është të rrimë në institucione. E njëjta gjë është kërkuar dhe nga kancelaria e znj. Merkel nga drejtori për politikën e jashtme”, tha Spaho.
I pyetur nëse u shtynë zgjedhjet vetëm pse e kërkoi Basha, Spaho tha se nuk ka informacione, por se PD bëri zgjedhje të gabuara për të cilat po paguan çmimin.
“Zoti Meta foli për variantin e tij, për sa i takon PD-së ne kemi deklaruar se nuk do të zhvillohen zgjedhje më 30 qershor. Ne ceduam nga ky pozicion dhe zgjedhjet u zhvilluan. Madje deklaruam se më 30 qershor do bëhet nami, që do përleshemi në qendrat e votimit që nuk është fare normale. Ne bëmë zgjedhje të gabuar për të cilat po paguajmë çmimin për këto zgjedhje të gabuara.
Ajo që mund të them unë është që përveç atij diskutimi formal që është bërë për lënien e mandateve, nuk di ndonjë vendim tjetër të rëndësishëm, reforma territoriale, hyrjen në çadër, marrëveshjen e majit që ne të kemi bërë debat në institucionet që ka PD, në kryesi, këshill Kombëtar apo në grupin parlamentar”, tha ish-nënkryetari i PD.
Sa i përket 13 tetorit ai tha se aleatët u regjistruan pas konsultimit me PD, ndërkohë që PD nuk shkoi në KQZ.
“Me sa duket ata që merrnin vendime nuk kanë dashur. Patjetër që nëse kërkon që zgjedhjet të shtyhen, do duhet që kur të nxirret data tjetër duhet të regjistrohesh. Aleatët janë regjistruar jo me dëshirën e tyre por pasi u konsultuan me PD. Shkuan u regjistruan të gjithë me miratimin tonë dhe më pas ne vetë nuk u regjistruam. Kjo do të ndihmonte në shqyrtimin e rastit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga Komisioni i Venecias për vendimin që mori.
Të gjithë analistët, blogjet, gazetat të cilat nuk kanë lënë gjë pa thënë për PD-në deri më 25 prill, sot i ke të rreshtuara fuqimisht në mbrojtje të zotit Basha. Shikoni lojërat në parlament. Tani po diskutohet paketa fiskale, shqetësim i madh për bujqit, keni parë të propozohet gjë nga PD, përveç kundërshtimit”, tha ai.
Lidhur me deklaratën e Bashës për akuzat e Berishës në çështjen e “Toyota Yaris”, Spaho tha se janë lojëra fjalësh dhe i sugjeroi kreut të PD të zbresë në terren.
“Janë lojëra fjalësh të z. Basha. Nëse ka fakte dhe me siguri ka fakte përderisa zoti Berisha e zë në gojë, unë do t’i sugjeroja që sa rri me cicërima në ‘Twitter’ të shkojë në elektorat, në bazën e PD, të takohet me anëtarësinë, me militantët. Ka 2 muaj e gjysmë që është mbyllur në zyrë dhe nuk lëviz, kjo tregon frikën e tij. Kot ia tha Edi Rama në Kuvend që ty nuk të duan këta të tutë. Një kryetar partie vlerësohet në terren. Por ai nuk e bën sepse e di që s’ka të drejtë”, tha Spaho.