Ndërsa Tirana mendohej se kishte fituar një lloj qetësie, për sa i përket ngjarjeve të rënda, ku prej disa muajsh nuk ishin shënuar të tilla, një atentat i dyfishtë na risolli në vëmendje hijet e zeza të krimit që godasin dhe largohen pa u shqetësuar, nën hundën e policisë.
Madje, në zonën më me trafik të kryeqytetit, ku vetëm kriminelët janë të aftë të largohen pa gjurmë, ndërsa policia vazhdon të numërojë viktimat dhe të dokumentojë në seri makinat e djegura të autorëve, por pa shkuar dot te dora që urdhëron dhe vret.
32-vjeçari, Erigers Mihasi dhe miku i tij Armando Dumani, 26 vjeç, janë viktimat më të fundit të një serie të gjatë atentatesh që po tronditin prej kohësh me ashpërsinë e tyre Shqipërinë.
Të njohur për precedentët e shumtë kriminalë, ata u ekzekutuan mbrëmjen e 13 nëntorit në Tiranë, ndërsa ishin duke lëvizur me automjetin tip ‘Audi’ të bardhë, targa ‘AB 008 EM’, në pronësi të Mihasit, që dyshohet se ishte edhe shënjestra kryesore e atentatit.
Dy të rinjtë ishin duke lëvizur në zonën e njohur si ‘Astiri’ në kryeqytet kur automjeti i tyre u qëllua mizorisht nga një makinë në lëvizje.
Breshëri kallashnikovi që nuk u lanë asnjë mundësi shpëtimi. Erigers Mihasi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Franca.
Ai kishte qëndruar në vendin transalpin, për afro 4-5 ditë në shoqërinë e mikeshës së tij, një studente 20-vjeçare nga Lushnja.
Sipas dinamikës së ngjarjes së ndërtuar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, natën para ekzekutimit Mihasi ndodhej në shoqërinë e vajzës me të cilën frekuentohej dhe mikut të tij, Armando Dumani. Ky i fundit, fqinj me Mihasin, në fshatin Yrshek të Tiranës. Atë mbrëmje, të rinjtë kanë qarkulluar për afro tri orë në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas dëshmisë së dhënë nga miku i tij, Arnoldi, kohët e fundit, Mihasi kishte rritur vigjilencën. Ai nuk ulej në lokale, apo ambiente publike. Madje, edhe kur udhëtonte, ruante deri në 3 apo 4 makina pas tij, pasi kishte frikë se mund të goditej. Kjo ishte edhe arsyeja përse mbrëmjen e ngjarjes, ai qarkulloi në rrugë të ndryshme të Tiranës.
Por gjatë rrugës, mikesha e tij, e cila deri në atë moment ishte me të në makinë, i kërkoi ta linte pranë stadiumit ‘Selman Stermasi’. Kjo, pasi do takonte një shoqen e saj. Erigersi e zbriti vajzën pranë stadiumit, dhe i tha se do vinte ta merrte sërish pasi të mbaronte takimin.
Vajza tha në polici se pasi u ndanë, Erigersi i dërgoi e-moji një trëndafil. Ajo dëshmoi përpara hetuesve, se miku i saj nuk kishte shprehur asnjë shqetësim dhe se nuk kishte vënë re asgjë të dyshimtë.
Pas ndarjes nga vajza, Mihasi në drejtimin e automjetit luksoz dhe Dumani në vendin e parë të pasagjerit, morën drejtimin për në zonën e Unazës së Re. Pa e ditur se ky do ishte edhe itinerari i tyre i fundit në këtë jetë.
Dy të rinjtë edhe pse ruheshin nga armiqtë e tyre, nuk e kishin pikasur se dikush u ishte vënë në ndjekje. Autorët mesa duket kishin planifikuar me detaje, ekzekutimin dhe vendin ku do të kryhej. Një rrugë në ndërtim, ku ngarkesa në trafik do u jepte kohën e duhur të kryenin eliminimin e dyfishtë.
Sipas dinamikës së ngjarjes, pasi u futën në Unazë, makina me Mihasin dhe Dumanin, afrohet në rrugën ‘Teodor Keko’. Në zonën e njohur ndryshe si ‘2 rrathët’. Ku për shkak të punimeve në rrugë dhe trafikut, Mihasi vendos të ulë xhirot e shpejtësisë.
Është ky momenti, kur papritmas, në ndjekje të tyre, vihet një automjet tip ‘Toyota’. Ku nga dritarja e makinës, derdhet një batare me plumba ndaj automjetit ku ndodheshin Mihasi dhe miku i tij Dumani. Fillimisht autorët e qëllojnë makinën e viktimave nga pas. Më pas i dalin në krah, nga ana e pasagjerit, duke e goditur egërsisht me breshëri kallashnikovi.
Pamje të forta që tronditën të gjithë të pranishmit në vendngjarje. Fill pas ekzekutimit, makina e autorëve merr rrugën drejt ish-sheshit ‘Shqiponja’ për t’u larguar më tej në drejtim të autostradës.
Dhe mandej për t’u gjetur e djegur në Thumanë, në një xhep në anë të rrugës kryesore.
Aty, ku tashmë përfundojnë të gjithë gjurmët e krimeve të rënda.
Ku në brendësi të automjetit tip ‘Toyota’, që rezultoi i grabitur në Greqi, por me targa të vjedhura në Tiranë ‘AA 532 ON’, u gjetën edhe dy kallashnikovët, me të cilët u ekzekutuan të rinjtë, një atentat që duke i mirëstudiuar, në një rrugë të pasurvejuar plotësisht nga kamerat e sigurisë, ku autorët mendohet se kishin informacion të sigurt edhe për faktin që viktimat atë mbrëmje lëviznin të paarmatosur, çka u lejonte atyre të mos kishin një kundërpërgjigje të armatosur nga ana e viktimave.
PISTAT E HETIMIT
Policia po heton në disa pista për te hedhur dritë mbi atentatin që shënoi dy viktima. Sytë janë kthyer nga e kaluara e Mihasit dhe Dumanit, si dhe përfshirjet e tyre në ngjarje të ndryshme kriminale, si dhe lidhjet e tyre me bosë të krimit në vend.
Ndonëse të dy viktimat ishin personazhe jo të panjohur për policinë, ku edhe pse mbanin në ndërgjegje përfshirjen në disa krime të rënda, ata kishin mundur t’i shpëtonin drejtësisë.
Armando Dumani, 26 vjeç, ishte i skeduar nga drejtësia për grabitjen e një banke. Ndërsa rekordet e Mihasit, i cili njihej në rrethin e të fortëve edhe si miku e krahu i djathtë i Ervis Martinaj, janë të shumta. Në krye të herës, Erigers Mihasi, ishte i dyshuar si i përfshirë edhe në një tjetër ngjarje të rëndë që kohë pas kohe prodhoi kufomat e veta.
Më 31 mars 2015, ai dyshohet se ishte bashkëpunëtor në dhunimin barbar dhe grabitjen e prindërve të Elton Çiços. Ngjarje kjo e ndodhur në Tepelenë. Çiço ishte personazh i njohur për policinë. Ai njihej si kreu i një grupi të fuqishëm kriminal, në fushën e narkotikëve.
Pak ditë para se prindërit e Elton Çiços të dhunoheshin barbarisht, Ervis Imeri, një drejtues punishte duralumini nga Tepelena, por me banim në Tiranë, kishte kryer disa punime në banesën e të moshuarve.
Duke qenë se volumi i punës ishte i madh, ai kishte marrë si punëtor një person nga Laçi, Robert Rama, të paktën kështu ia prezantoi ai punëtorin laçian, të zotit të shtëpisë, Naim Çiço.