“Kam fat që po punoj afër një njeriu të madh dhe e them “të madh” në të gjitha kuptimet, siç është ish-Kryeministri Sali Berisha. Fat i madh të mësoj prej tij, të shikoj, të ndiej dhe ta shpërndaj edhe unë atë energji që ai përçon”.
Me të tilla fjalë u shpreh sot, znj. Floriana Garo, Drejtore e Komunikimit e lëvizjes Foltorja, lëvizjes së iniciuar nga lideri historik i PD-së për rimëkëmbjen e Partisë Demokratike. E ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, znj. Garo në një intervistë është nxitur të tregojë atë që ajo po sheh dhe po përjeton në takimet me popullin demokrat në të gjithë Shqipërinë, përtej asaj që shihet në ekran.
Floriana Garo po ashtu ka rrëfyer arsyet pse e ka marrë përsipër këtë mision në Partinë Demokratike, që nisi që nga zgjedhjet e 25 Prillit dhe po evoluon çdo ditë në krah të Berishës. Dhe natyrisht, Garo tregoi edhe se është një nënë e re dhe bashkëshorti dhe fëmijët e saj kanë ardhur bashkë me të në Shqipëri prej mëse një viti, për ta mbështetur dhe lehtësuar misionin e saj në politikën shqiptare.
Intervista e plotë e znj. Garo me Flavio Qarrin në emisionin “Kafe Shqeto”:
Kafe Shqeto: Floriana, do të bëjmë një kompromis. Sigurisht komunikimi yt aktual është politik, po nuk mund të mos e kujtonim Floriana Garon që e kemi njohur nga faqet më pak politike. Tani duhet të jesh përshtatur plotësisht me këtë kalim.
Floriana Garo: Sigurisht, jam shumë e kënaqur me kalimin dhe me eksperiencat jetësore e vitet që kalojnë dhe sigurisht njeriu sheh edhe për mundësi të tjera në jetë.
Flavio: Sigurisht, mundësi të tjera. Ti ke pasur një fat vërtet interesant të provosh gjëra nga më të ndryshmet pa llogaritur volejbollin, shkollat jashtë shtetit etj. A e kërkon vetë një ndryshim të tillë apo janë qëndrime të tuat, je e hapur ndaj gjithçkaje që ndodh. Si funksionon?
Floriana Garo: Është një miks i të dyjave do të thosha. Mua më pëlqen të provoj gjëra të tjera në kuadrin e asaj që unë di të bëj më mirë. Në këtë rast është komunikimi. Televizionin e kam provuar në këtë fushë, po pak më ndryshe është edhe kjo që po bëj tani: komunikim, por tanimë në një fushë shumë më dinamike, shumë fuqiplotë dhe më vjen shumë mirë që jam këtu.
Flavio: Jam kurioz për një aspekt personal të përjetimeve. Do të doja të diskutonim pak edhe angazhimin tënd me Foltoren në një aspekt personal, jo thjesht politik. Do doja nga ti detaje në raport me procesin, adrenalinën, përjetimin e gjithçkaje që të afron, nga një këndvështrim individual.
Floriana Garo: Është një përjetim i jashtëzakonshëm. Unë mund të them se kam fat që po punoj afër një njeriu të madh dhe e them “të madh” në të gjitha kuptimet, siç është ish-Kryeministri Sali Berisha. Është fat i madh të mësoj prej tij, të shikoj, të ndiej dhe ta shpërndaj edhe unë atë energji që ai përçon. Të jem pranë tij është një shkollë më vete. Kështu që jam shumë e privilegjuar, e privilegjuar që punoj me të por edhe më një grup shumë të mirë, që është pjesë e Foltores dhe që i organizojmë gjërat bashkë. Dita nuk është asnjëherë njësoj, duhet vazhdimisht të jem në kontakt me politikanë, me doktor Berishën, me mediat, të jem pjesë gjithashtu edhe unë e medieve, e intervistave të ndryshme, të planifikojmë Foltoret, t’i moderoj Foltoret, takime të ndryshme me njerëz.
Flavio: ti je mësuar të jesh në qendër të vëmendjes, je mësuar me publik, por kam përshtypjen se njerëzit që janë pjesë e Foltores kanë një energji komplet tjetër, një atmosferë tjetër dhe në komunikimet e tyre. Si do ta përshkruaje atë raport, a të krijon pak ‘neps” për të marrë pjesë në mënyrë aktive në politikë si përfaqësuese?
Floriana Garo: Unë jam në hapat e para të kësaj fushe. Sigurisht që nuk e përjashtoj mundësinë përderisa jam futur këtu. Do të shikoj nëse është diçka që do të më përshtatet me kohën dhe unë do të arrij ta bëj mirë. Nëse po, patjetër që jam shumë e hapur edhe për të vijuar në këtë fushë. Por tani po shijoj këtë pozicion që kam. Më pëlqen, jam shumë e kënaqur. Se çdo të sjellë e ardhmja mbetet për tu parë.
Flavio: Meqë jemi tek shijimi i hapave të parë Floriana, para se të angazhoheshe në fushatën e PD-së për zgjedhjet e 25 Prillit dhe gjithashtu edhe në turin e Foltores që do të kulmojë më 11 Dhjetor, ti ishe në fillimet e familjes tënde të re apo jo? Si po e menaxhon këtë?
Floriana Garo: Kanë kaluar katër vjet që kur unë u shpërngula në Zvicër dhe tani u rishpërngula në Shqipëri, kështu që familja është re. Unë kam dy fëmijë të vegjël. Menaxhimi për të thënë të drejtën nuk është shumë i thjeshtë sepse vazhdimisht duhet të kujdesem nëse fëmijët i kanë të gjitha gjërat që iu nevojiten, nëse po hanë siç duhet, nëse po flenë siç duhet, a janë me shendet mirë apo jo. Ja për shembull sot vajza nuk ka shkuar në kopsht sepse është pa qejf. Të gjitha këto gjëra unë duhet t’i menaxhoj. Fakti që kam ndihmë në shtëpi dhe i çoj në kopësht fëmijët më ndihmon shumë, ndryshe do të ishte shumë e vështirë për t’u menaxhuar.
Flavio: Floriana ëhstë shpërngulur vetë në Tiranë provizorisht, apo e gjithë familja?
Floriana Garo: Bashkë me familjen, patjetër. Nuk kisha si të shpërngulesha vetëm, unë kam nevojë të rri afër bashkëshortit tim dhe fëmijëve të mi.
Flavio: Dikush do të mendonte se ishte një angazhim deri më 11 Dhjetor, por po kuptojmë që 11 Dhjetori me sa duket është vetëm fillimi…
Floriana Garo: Unë e kam shprehur më përpara, po njerëzit duket sikur nuk e kuptojnë …
Flavio: Kjo është pyetje edhe politike në fakt…
Floriana Garo: Unë jam shpërngulur në Shqipëri 9 muaj më parë. Kam pasur edhe vajtje – ardhje me Zvicrën ku ne ende kemi punë atje dhe biznesim që drejtojmë, megjithatë prej 9 muajsh unë jetoj në Shqipëri. Kur unë thashë që doja të kontribuoja për Partinë Demokratike, doja të kontribuoja jo vetëm për fushatën e PD-së, por për PD-në në tërësi, tjetër se gjërat shkuan ashtu siç shkuan, jo me atë fitore që kishim mendur. Tani u zgjua Partia Demokratike dhe unë jam shumë e lumtur që jam në këtë pozicion.
Flavio: Ndërkohë duket se po flasin vetëm ata që janë angazhuar në PD dhe patjetër komentatorët poltikë. Unë do të doja nga ti Floriana të kishim për herë të parë një panoramë të personave publikë, VIP-a, nga shoëbiz, Estrada, industria muzikore që ti i ke njohur gjatë karrierës tënde, nëse ata të kanë reaguar.
Floriana Garo: Unë nuk do ta konsideroja veten se kam qenë pjesë e shoëbiz-it; kam drejtuar një emision “life style” sigurisht, por në shoëbis nuk e di a do ta sfidoja…
Flavio: Nëse je në kopertina revistash, Floriana, ti e di shumë mirë që je në shoëbiz, le të themi në kronikë rozë.
Floriana Garo: Komentet kanë qenë të shumta edhe kur erdha si fillim për të kontribuar në fushatën e 25 Prillit, po edhe tani. Komentet kanë qenë kryesisht pozitive nga njerëzit që unë vlerësoj, se komente ka nga kushdo, por nga njerëzit që vlerësoj se ata marr më shumë në konsideratë, kanë qenë pozitive. Më kanë thënë që ishte hapi i duhur për karrierën time dhe se i përshtatem shumë mirë këtij roli që po bëj. Ka komente që “pse me këtë e pse me atë”, po “PD kështu, PS ashtu”…të gjitha këto komente, që nuk është se më ndikojnë shumë fundi i fundit, se unë kam bindjet e mia dhe ato i kam të përcaktuara. Rëndësi ka që njeriu të marrë vendime, të jetë i vendosur dhe t’i qëndrojë pastaj vendimeve që merr. Kjo është e rëndësishme.
Flavio: Kemi parë në të gjithë botën që personat publikë shfaqin bindjet e tyre dhe ndërmarrin veprime konkrete, angazhohen në mënyrë konkrete edhe krahas karrierës së tyre. A mendon se përfshirja jote në një lëvizje si Foltorja, angazhimi yt në PD, do t’i bëjë më shumë njerëz të dalin hapur ndoshta, të kuptojnë që mund të kenë dhe një profil të vetin, të jenë dhe pjesë e politikës pa qenë të ndërvarura njera nga tjetra? Po citoj psh. Jul Dedën, që ka një angazhim të vetin edhe profesional, por edhe politik.
Floriana Garo: Unë mendoj se kur njeriu ka ndërgjegjësim për politikën dhe për çfarë po ndodh në vendin e vet, që gjithkush duhet ta ketë këtë informacion dhe këtë ndërgjegjësim, patjetër që duhet t’i shprehë bindjet e veta. Unë nuk i kam shprehur bindjet e mia ndërkohë që bëja emisionin tim; ka ardhur më vonë kjo dhe sigurisht ka ardhur edhe për shkak të pjekurisë që njeriu merr në jetë me kalimin e viteve dhe mendon se çfarë është më e mira…
Bindjet duhen shprehur dhe duhen bërë publike në qoftë se një personazh i shoëbiz-it siç po thoje ti më parë, ka një ndërgjegjësim politik dhe mendoj që duhen shprehur sepse ndikojnë dhe tek ndjekësit e tyre. Gjithkush do që të bëhet më e mira për vendin e vet por kam idenë se këtu në Shqipëri nuk shprehen këto bindje se mendojnë se mund t’i prishet punë në karrierën e tyre, të jenë të asociuar me një parti ose me një tjetër dhe e lënë thjesht të mos prononcohen.
Mendoj se me kalimin e viteve dhe me pjekurinë që gjithkush merr, duhet të jetë më i ndërgjegjshëm përsa i përket kësaj dhe gjithashtu të ketë guximin që gjërat t’i thotë ashtu siç i mendon dhe siç e ka bindjen, se mund të ndikojë pozitivisht tek shumë të tjerë që e ndjekin.
Flavio: Nga ajo që shohim nga ekrani, Floriana, takimet mbarojnë pasi mbarojnë pyetjet e fundit dhe përgjigjet e Doktor Berishës. Telefonuesit tanë na tregojnë që ka një proces, një “sulm” për foto ndaj Berishës. Më trego pak çfarë ndodh kur mbaron Foltorja?
Floriana Garo(qesh): Ah, ka kërkesa… Është në fakt e sikletshme sepse koha televizive e Foltoreve është e limituar, të gjithë njerëzit atje duan që të flasin, të gjithë mendojnë që ia” bën me dashje” kur nuk ua le mikrofonin, por dua ta theksoj këtu dhe gjej rastin të them se nuk është aspak ky qëllimi ynë. Thjesht do të duheshin ditë e ditë të tëra që gjithkush që është në ato Foltore të shprehet dhe t’i thotë gjërat siç i ndien për t’i thënë. Është mirë që të organizohen Foltore të tilla sa më shpesh dhe kur ne mund të jemi në drejtim të Partisë Demokratike./ar.sh/SYRI.NET
Flavio: Pas Kuvendin, por para se të vijmë tek 11 Dhjetori, sot është 25 nëntor dhe je për Kuçovë nëse s’gaboj.
Floriana Garo: Gjej rastin për ta shprehur se nuk do të jem sot prezent sepse jam e ftuar në Amerikë ku kam një event, që duhet të jem prezent dhe do ta bëjmë publike shumë shpejt.
Flavio: Politik, jopolitik?
Floriana Garo: Po sigurisht, edhe me politikë brenda.
Flavio: Edhe me politikë brenda! Ishte një intervistë “edhe me politikë” brenda kjo! Floriana, të përshëndes!/ar.sh/SYRI.NET
iNTERVISTA ME FLORIANA GARON SOT NE “KAFE SHQETO”