Një nga viktimat e tragjedisë në Gllogjan është një nxënëse 17-vjeçare, që është e bija e një veterani. Kështu ka bërë të ditur vajza e hallës së viktimës.
Laureta Kosumi , ka thënë se vajza ishte duke u kthyer nga shkolla. 17-vjeçarja ishte nxënëse e mjekësisë, e që dëshirë kishte të bëhet një doktoreshë.
Kosumi tha se familjarët janë të shokuar dhe se gjendja në familjen e viktimës është e rëndë.
“Ka qenë 17-vjeçare shkonte shkollën e mjekësisë dhe ka qenë duke u kthyer nga shkolla. Ka qenë orari i shkollës dhe ky ka qenë orari që u kthy çdo ditë me linjë të autobusit, sikurse e kanë gjithë nxënësit. Familjarët janë të shokuar, dhe është një gjendje shumë e rëndë në familje. Ajo asnjëherë nuk ka folur për ndonjë telash për tek linja e autobusit. Dëshira e saj ka qenë të jetë një doktoreshë në të ardhmen”, tregoi Kosumi për RTK.