Policia ka dhënë detaje të reja në lidhje me grabitjen e ndodhur në fshatin Luzat të Tepelenës, ku janë grabitur 2 milionë lekë.
Sipas uniformave blu, është grabitur banesa e Alim Muhos, ndërsa grabitësit nuk kanë qenë të maskuar dhe as të veshur si policë.
Policia e Tepelenë/Informacion paraprak
Rreth orës 00:20 të datës 28.11.2021, shtetasi A. M., 68 vjeç, banues në fshatin Luzat, Tepelenë, ka njoftuar se rreth orës 21:45 të datës 27.11.2021, në banesën e tij kanë shkuar tre shtetas të paidentifikuar (të pamaskuar dhe të paarmatosur), të cilët i kanë marrë shumën 200.000 lekë të reja.
Shtetasi A. M. ka kallëzuar para shërbimeve të Policisë se ka qenë i vetëm në banesë dhe tre personat e paidentifikuar nuk kanë ushtruar dhunë mbi të.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.