Paraditen e kësaj të marte, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës Donika Gëvalla, ka raportuar në Komisionin e Politikës së Jashtme në parlament, ku ka folur edhe për projektin “Ballkani i Hapur” i cili deri më tani po çohet përpara, vetëm nga treshja Vuçiç-Rama-Zaev.
Donika Gërvalla ka thënë se Kosova nuk ka nevojë që të marrë pjesë në iniciativa si “Ballkani i Hapur” dhe nuk do të kërkojë kurrë alternativa të tjera ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Si Republikë e Kosovës jemi deklaruar qartë. se as nuk kërkojmë alternativa ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe as nuk kemi nevojë për alternative, të cilat janë më shumë fjalë goje sesa oferta serioze të asaj që filloi si iniciativë e Novi Sadit, vazhdoi si Mini-Schengen. Ta shohim kur të takohen herën e ardhshme tre inicuesit e saj cilin emër do ta marrë Ballkani i Hapur”, tha Gërvalla.
Gjithashtu krye-diplomatja zbuloi se Kosova, asnjëherë nuk ka marrë ftesë zyrtare për t’iu bashkuar kësaj iniciative.
“Republika e Kosovës në asnjë moment të caktuar nuk ka marrë asnjë përshkrim të vetëm të shkurtër apo të gjatë se çfarë është iniciativa ‘Open Balkan’. Asnjëherë Republika e Kosovës nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për të qenë e pranishme, përveç prononcimeve publike që i kemi dëgjuar, prandaj pozicionimi ynë është shumë i qartë”, tha ajo.
Më pas në fjalën e saj ministrja e Jashtme e Koosvës lëshoi edhe deklaratën e fortë, se “Ballkani i Hapur” do të ishte një vegël që Serbia do ta përdorte kundër Kosovës.
“‘Open Balkan’, ashtu siç e shohim ne në këtë moment, është një iniciativë për ta hequr vëmendjen nga Procesi i Berlinit dhe është një mekanizëm që Serbia kërkon ta ketë në dorë për ta penguar Kosovën drejt integrimeve rajonale”, tha Gërvalla për këtë çështje.