1. Faik Konica, para më shumë se 100 vjetësh ka thënë: “…Populli ynë është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira”. Për arsye të shumta, shqiptarët janë “pro-amerikanë”, veçanërisht demokratët ku mund të veçohen ato që kanë vuajtur më shumë gjatë periudhës komuniste. Duke qenë të vendosur, por edhe të ndërgjegjshëm për koston e këtij orientimi gati 100-vjeçar, ata asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim faktin se “dielli i tyre lind nga perëndimi”. Ndonëse i varfër, siç thotë edhe Faik Konica, “populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar”, por i besës dhe që urren e zhgënjehet nga padrejtësitë, veçanërisht ato selektive…
2. SHBA janë aktualisht shteti më i fuqishëm dhe me demokratik i globit. Partneri kryesor i vendit tonë. Askush nuk ka të drejtë të vendosë në “gojën “ e SHBA deklarata që s’janë bërë prej saj dhe në asnjë rast s’do të mund të përbënin vijë sjelljeje të saj. Ky do të ishte minimalisht një gjest që do të prekte “madhështinë” e SHBA duke nxitur antiamerikanizmin mes qytetarëve. Ky do të ishte keqpërdorim i SHBA për interesa personale. Unë s’e besoj kurrë se ka politikanë shqiptarë që do te tentonin ta bënin një “gafë” të tillë, sepse kjo do t’i kthehej në bumerang… Nuk do ta besoja të ndodhte një gjë e tillë, kurrë, kurrë, kurrë!
3. SHBA, si shteti më demokratik i globit, s’do të “toleronte vjedhjen e zgjedhjeve” në asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye sado e fortë të ishte ajo… Në dijeninë time, kjo s’ka ndodhur asnjëherë deri më sot. Nuk mendoj se SHBA do të toleronin një gjë të tillë, siç jam i sigurt që asnjë politikan shqiptar s’do ta tentonte një gjë të tillë. Sepse një gjë e tillë do të ishte jo vetëm shumë e rëndë, por edhe vetëvrasëse e deri fundi i gjithçkaje! Unë do do të gjendesha i befasuar nëse një “deklaratë” e tillë do të bëhej me shkrim nga ndonjë përfaqësues i SHBA e institucionet e saj zyrtare s’do ta përgënjeshtronin! Por kjo s’do të mund të ndodhte, kurrë, kurrë, kurrë!
4. Nëse kjo “deklaratë” do të ishte e vërtetë, atëherë SHBA do të duhet të kishte pranuar jo vetëm se nuk respekton votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, por ajo zotëron mekanizma të “sofistikuar” për të ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë deri në cenimin e sovranitetit të vendit, duke dhunuar votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Këtë gjë, nga eksperienca 30-vjeçare në politikë, s’e kam hasur; prandaj s’e besoj kurrë, kurrë, kurrë!
5. SHBA ka qenë nga 1991 e në vijim partnerja më e rëndësishme e Shqipërisë, aleatja më e rëndësishme e saj në BP dhe një nga “koleget” e saj më të vyera në NATO. Të gjitha këto, përveçse SHBA është vendi më demokratik në botë, e bëjnë të pabesueshëm faktin SHBA të “tolerojë vjedhjen e zgjedhjeve në Shqipëri” nga kushdo qoftë e në çfarëdo rrethanash. Këtë gjë, s’e besoj të jenë thënë nga askush, kurrë, kurrë, kurrë!
6. Kjo që ka dalë në media është shumë e rëndë, qoftë edhe si “deklaratë fake”. Sepse kjo, nëse s’përgënjeshtrohet, jo vetëm e vë SHBA në një pozitë të rëndë përballë partnerëve të saj europiane dhe të mbarë botës demokratike, e stigmatizon atë si ndërhyrëse në punët e brendshme të një vendi të lirë, por që edhe nxit antiamerikanizmin e një pjese të rëndësishme të votuesve gjë që s’i shërben as Shqipërisë por as edhe SHBA…
7. Prandaj duhet urgjentisht që ambasadorja amerikanë në Tiranë apo dikush tjetër në Uashington jo vetëm ta përgënjeshtrojnë këtë “deklaratë fake”, por edhe të “qetësojnë” publikun shqiptar duke dhënë sqarimet adekuate.