Kur dëgjon Lulin të thotë, “ndiq paratë, zbulo korrupsionin”…

0
105

Nga Artur Ajazi

Tek dëgjoja të fliste në Parlament Lulzim Bashën, kryetarin aktual të Partisë Demokratike, të fliste për luftën ndaj korrupsionit dhe akuzonte “oligarkët dhe qeveritarët”, mëndja më mbeti tek këshilla që u dha prokurorëve të SPAK-ut. Ai u tregoi “rrugën se si të zbulojnë korrupsionin”, duke u thënë “ndiqni paratë dhe do të zbuloni kush i ka zhvatur ato nga xhepat e shqiptarëve”. Sa mirë. Më në fund edhe Lulzim Basha e ka kuptuar se, duke ndjekur pasuritë dhe paratë e politikanëve, patjetër do të zbulosh emrin e poseduesit të tyre.

Por ama, kjo vlen edhe për Partinë Demokratike, për ish-kryetarin dhe kryetarin, për ish-ministrat, dhe sheikët e saj, që janë të “krimbur” në miliona euro. Lulzim, një kryetar opozite, që 4 fishon pasurinë, patjetër duhet të jetë objekt i SPAK-ut, dhe mirë bën që u kujton prokurorëve detyrën. Kjo natyrisht vlen edhe për çdo ministër dhe qeveritar në detyrë, pasi askush nuk përjashtohet nga lufta ndaj korrupsionit. Duke folur mbi “situatën skandaloze që ekziston në Shqipëri, për leje ndërtimi që po gllabërojnë troje dhe pastrojnë miliona”, Lulzim Basha siç duket i “bie derës, të dëgjojë qilari”.

Pra, duke akuzuar me “fakte” ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre “oligarkët që pastrojnë paratë”, Lulzimi në fakt ka nisur etapën e rradhës së presioneve ndaj atyre që punojnë, punësojnë, ndërtojnë, dhe zhvillojnë këtë vend. Po, e vërtetë është Lulzim, duhet ndjekur paraja, për të zbuluar kush ka vjedhur,kush ka shtuar pasurinë, kush ka rritur numrin e vilave, pallateve, kontove bankare, kush ka blerë banesë në Europë, apo kush  ka marrë dhe vazhdon të marrë “dhurata” nga oligarkët. Duke ndjekur paratë, patjetër prokurorët do të shkojnë te pasuria e pamerituar e atyre që deri dje u akuzuan për 230 milion eurot e zhdukura të Rrugës së Kombit, për ata që blejnë në kohë krize dhe pandemie vila me pishinë që kushtojnë miliona euro në zonat preferiencale të Tiranës dhe jo vetëm, apo edhe tek ata që shëtisin me makina 100-200 apo 250 mijë euroshe, dhe hiqen sikur u “qajnë hallin shqiptarëve”.

Duke ndjekur paratë Lulzim, kam frikë se prokurorët e SPAK-ut, deri në momentin kur të mos akuzohen prej teje se “janë velga qorre të Ramës”, do të zbulojnë gjysmën e grupit tënd parlamentar me pasuri të pajustifikuara, duke nisur nga ty. Dhe në fakt, SPAK-u, mbetet i vonuar (edhe pse ka një mal me dosje) lidhur me shënjestrimin e pasurisë së politikanëve, qofshin ata të djathtë apo të majtë, pasi drejtësia e pavarur nuk mund të bëjë  kurrë dallime esenciale. Por të ngrihesh në Parlament, të flasësh sikur je në sallën e konferencave të SHQUP-it, duke akuzuar në tym, pa emra dhe fakte, i bie të dekonspirosh vehten dhe ata që ke pranë.

Dihet se si veprohej në kohën e qeverisjes së Bashës dhe Berishës, edhe me tenderat, edhe me lejet e ndërtimit, edhe me investimin dhe ndërtimin e “10 mijë km rrugë”, dihet se si skualifikoheshin firmat pasi nuk kishin derdhur përqindjet tek “miku”, etj,etj.Llogaria është e qartë, dhe nuk ka nevojë të mësosh prokurorët e SPAK-ut , ç’duhet të ndjekin, “paratë  apo lejet e ndërtimit”, por çdo politikan më parë duhet të “rrëfehet” për vehten Lulzim, pastaj të kërkojë drejtësi për të tjerët. Kurse, ajo puna e “pastrimit të parave” është temë e bukur Lul, por nuk vlen për ta kthyer në “aksion opozitar”  para 11 Dhjetorit, sepse do të hapeshin telashe të tjera…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here