Komuniteti i biznesit ka kritikuar ashpër paketën fiskale të qeverisë, duke e konsideruar si rrënuese për aktivitetin privat të goditur rëndë nga pandemia Covid-19.
Përballë qëndrimit të sipërmarrësve privatë gjenden dy aktorë-kryeministri Edi Rama dhe biznesmeni i peshkut, Gjergj Luca.
Ky i fundit, prej kohësh ka marrë rolin e një zëdhënësi të kryeministrit, duke propaganduar çdo nismë kontraverse, si edhe duke iu kundërvënë kujtdo që nuk është dakord me qasjen e Ramës për ekonominë e vendit.
Ka një arsye tepër domethënëse që Luca i Peshkut është rreshtuar në radhën e vartësve të Ramës.
Kryeministri është treguar shumë dorëlëshuar me Gjergj Lucën, duke i dhënë me qira 1 euro 2 prona publike, me qëllim zhvillimin e biznesit të tij privat, me një sipërfaqe totale gati 40 mijë metra katrorë.
Luca i ka përfituar falas të dyja këto prona brenda vitit 2019, njërën në Korrik dhe tjetrën në Tetor.
Me vendimin nr. 526, datë 25 Korrik 2019, Këshilli i Ministrave vendosi të nënshkruajë me kompaninë ‘Rozafa’ të Gjergj Lucës, kontratën me qira 1 euro për pasurinë publike të emërtuar ‘Ish Reparti Ushtarak nr 5012/20 në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes në Çekrez të Gramshit.
Sipërfaqja e përgjithshme që përfitoi Gjergj Luca është 28 960 metra katrorë dhe sipërfaqja e ndërtimi të godinës brenda saj është 4185 metër katrorë.
Afati i qiradhënies së kësaj pasurie publike është njëzet vite.
Sipas vendimit të qeverisë ‘Rama’, kompania ‘Rozafa’ shpk duhet të përdorë këtë objekt me qëllim ndërtimin e një fabrike për përpunimin e karkalecit, nëpërmjet përpunimit aktiv të mallrave.
Për t’u treguar bindës përballë qeverisë, Gjergj Luca ka deklaruar se investimi do të jetë afatgjatë dhe ai ka në plan që të punësojë të paktën 60 punës.
Vetëm tre muaj më pas, Qeveria vendos të tregohet sërish dashamirëse me Gjergj Lucën.
me Vendim të Këshillit të Ministrave nr 701, datë 30 tetor 2019, ‘Rozafa’ shpk ka përfituar kundrejt qirave vetëm 1 Euro, për 20 vite pronën me emërtesë Sektori Autopark, ish Parku i Minierës së Hekur Nikelit, Përrenjas, me sipërfaqe të Përgjithshme 10 287 metër katrorë ku sipërfaqe ndërtimore është 1 090 metër katrorë.
Përfitimet vijojnë për Gjergj Lucën.
Me vendimin nr. 312, datë 15 Maj 2019, qeveria vendosi që të lejojë privatizimin e një tjetër objekti, të cilin Luca e kishte marrë më herët me qira simbolike 1 euro.
Në bazë të vendimit, të nënshkruar nga Erion Braçe në emër të qeverisë shqiptare, miratoi procedurat e privatizimit për pasurinë ‘Objekte të Agjencisë së Rezervave të Shtetit, Labinot, Elbasan’, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit./syri.net