Ditët e fundit, lëvizja e oranizuar nga ish kryeministri Sali Berisha, ka nisur një ‘fushatë publikimi’ të emrave të delegatëve që kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në datën 11 dhjetor.
Pasi disa prej qarqeve kanë filluar në mënyrë periodike të zbulojnë se cilët janë personat që kanë firmosur, ka ardhur edhe reagimi nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi i cili me anë të një email-i drejtuar strukturave të PD, ka shkruar se një lëvizje e tillë ishte e paligjshme dhe fakti që po lexoheshin emrat e delegatëve ishte diçka e paautorizuar nga vetë organet e PD.
Email-i i Plotë nga Gazment Bardhi:
Të nderuar
Në vijim të shqetësimit të shprehur nga disa anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PDSH për përdorimin pa të drejtë të të dhënave të tyre, në një dokument që përmban simbolet e Partisë Demokratike të Shqipërisë, kam konstatuar se:
Është e vërtetë që në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa dokumente me simbole të Partisë Demokratike dhe të dhënat e anëtarëve të Partisë Demokratike dhe/ose anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH. Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhura nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për intersin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD.
Në përputhje me nenin 6 të Statutit të PD, ku theksohet se simbolet e Partisë Demokratike përdoren vetëm nga organet përfaqësuese të PDSH-së ose me autorizim të tyre, kërkoj përcjelljen e informacionit të plotë dhe të dokumentuar mbi personat që në Degët respektive administrojnë, shpërndajnë apo prodhojnë dokumente të tilla të paligjshme dhe të falsifikuara, duke keqpërdorur të dhënat e anëtarëve të PDSH.
Duke ju uruar punë të mbarë,
Sekretari i Përgjithshëm
- Gazment Bardhi