Intervista/ Këlliçi: Nëse Kuvendi në 11 vendos shkarkimin e kryetarit, Basha nuk ka tagrin statuor të thërrasë kuvend tjetër

0
147

“PD nuk mund të vijojë të jetë një statistikë e zgjedhjeve në Shqipëri. Duhet lidership i fortë për ta nxjerrë nga kjo mesele, dhe Berisha ka treguar se ka qenë zgjidhje për PD në ditët e saj më të vështira”

 

Deputeti i partisë Demokratike Belind Këlliçi flet në një intervistë për gazetën “standard” mb zhvillimet brenda selisë blu dhe pritshmëritë nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Ai pohon se lëvizja e Bashës për thirrjen e një Kuvendi më 18 dhjetor ëhstë tejet e vonuar dhe kundër statutit.Nëse Kuvendi Kombëtar, me procedurë të rregullt statuore, vendos shkarkimin e kryetarit, Z. Basha nuk do të ketë tagrin statuor të thërrasë kuvend tjetër, pasi ai prej 11 dhjetorit mbetet në detyrë formalisht, pa të drejtë vendimmarrjeje, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri nga anëtarësia, me parimin “një anëtar një votë”.”

Po ashtu gjatë intervistës Këlliçi flet edh epër akuzat e palës tjetër ndaj Foltores, ku thekson se lidershipi aktual duhet të kafshojë gjuhën dhe të mos degradojë në fyerje. “Përballja në demokraci nuk i bën keq askujt. Vetëm komunistët e konsiderojnë përçarje debatin e brendshëm.”

 

 INTERVISTA E PLOTE

 Lideri historik i PD Sali Berisha pas përjashtimit nga partia me vendimin personal të z.Basha, ka ndërmarrë një iniciativë nën emrin “Foltore” duke vënë në qendër të projektit rithemelimin e kësaj force politike. Cili është mendimi juaj lidhur me projektin e zotit Berisha? Pse ju personalisht i jeni bashkuar atij?

 

Një projekt i vonuar por i mirëpritur nga shumica e anëtarësisë. Personalisht e mbështes këtë projekt për një arsye madhore; shoh tek Berisha të vetmin autoritet në PD që mund të ringrejë frymën e optimizmit mes demokratëve, dhe foltoret e treguan këtë. Pa hezitim se mund të shfaqem fatalist, por situata në parti pas zgjedhjeve të 25 prillit ishte dëshpëruese, çka u rëndua edhe më shumë pas kuvendit të korrikut, ku nuk u lejua të bëhej një analizë paszgjedhore.

 

Unë mendoj se PD nuk është aq e vogël sa për t’u fshehur pas gishtit. Në një parti demokratike vendimet duhen marrë në rrugë statuore, duke respektuar forumet dhe frymën e kolegjialitetit. Kjo gjë nuk ndodhi në rastin e pezullimit të zotit Berisha, çka shkaktoi një krisje të madhe. Krisje që u mohua nga kryetari Basha deri në 15 nëntor, kur ai kundërshtoi sërish veten me një tjetër vendim personal, atë të thirrjes së një kuvendi paralel. Zoti Basha është një javë pas në lëvizjet e tij politike. Ai vendim i tij përbuz vullnetin e delegatëve dhe shumicën e anëtarësisë, dhe kjo nuk e ndihmon kryetarin të bëhet lider. Unë mbështes Foltoren si instrument politik sepse aty gjej propozime me vlerë, siç janë primaret, neni i dorëheqjes, lejimi i fraksioneve dhe zgjedhja me parimin “një anëtar një votë” për të gjitha nivelet e përfaqësimit. Mjaft me emërime nga lart! Unë jam produkt i një gare të ligjshme politike dhe nuk mund të pranoj një tjetër model.

 

Pas depozitimit të firmave në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe takimeve të shumta me demokratët, së fundmi edhe ai virtual me SHBA, Foltorja me sa duket po shkon drejt finishit dhe produkti përfundimtar do jetë Kuvendi i 11 dhjetorit. Si do t’i përgjigjeshit palës tjetër, e cila e konsideron këtë Kuvendi ilegjitim?

 

Janë deklarata që, si demokrat kur i dëgjoj, më skuqet faqja. Sovrani nuk është kurrë ilegjitim. Kuvendi Kombëtar u thirr prej delegatëve, dhe ata burra e gra duhen respektuar.  Lidershipi aktual duhet të kafshojë gjuhën dhe të mos degradojë në fyerje. Ne duhet të mësojmë të dëgjojmë edhe opinione që nuk na pëlqejnë. Kjo vlen edhe për pjesëmarrësit në Foltore.

 

Le të kritikojmë por jo të linçojmë njëri-tjetrin. Unë i ftoj të gjithë më 11 dhjetor të përballen me platforma politike, jo me epitete. Kryetari të vijë dhe të përballet me mendimin ndryshe, me kritikat, me delegatët, në të kundërt mbetet kryetar pa parti. Ftoj kolegët deputetë të respektojnë statutin dhe thirrjen legjitime të delegatëve për kuvend kombëtar në dt.11. Përballja në demokraci nuk i bën keq askujt. Vetëm komunistët e konsiderojnë përçarje debatin e brendshëm.

 

 

Cilat do jenë vendimet e pritshme në Kuvendin e 11 dhjetorit?

 

Di t’ju them vetëm çfarë mund të jetë në rendin e ditës. Se çfarë do të vendoset, këtë do e tregojë vota e delegatëve. Pres të shoh një rikthim te vota. Çdo vendim i shumicës, i marrë në rrugë statutore, është i ligjshëm dhe demokratik. Në fund të ditës, vota është treguesi më i qartë i vullnetit të shumicës e cila ka për detyrë që ne çdo rast të jetë garant i te drejtave dhe pse jo kërkesave apo garancive të pakicës.

 

Pas 11 dhjetorit prisni një betejë brenda radhëve (kujtojmë këtu se Z. Basha ka thirrur një Kuvend më datë 18 dhjetor) apo të gjitha fuqitë do të përqëndrohen më pas te beteja me mazhorancën qeverisëse?

 

Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës në PD. Thirrja e kuvendit nga shumica dërrmuese e delegatëve është historike. Është një moment i jashtëzakonshëm politik për PD, opozitarizmin dhe Shqipërinë. Nëse Kuvendi Kombëtar, me procedurë të rregullt statuore, vendos shkarkimin e kryetarit, Z. Basha nuk do të ketë tagrin statuor të thërrasë kuvend tjetër, pasi ai prej 11 dhjetorit mbetet në detyrë formalisht, pa të drejtë vendimmarrjeje, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri nga anëtarësia, me parimin “një anëtar një votë”.

 

Entuziazmi i demokratëve për të rikthyer protestat është i dukshëm. Kuvendi Kombëtar i Rithemelimit synon ta rikthejë PD në një opozitë të vërtetë, të fortë dhe inteligjente.  PD nuk mund të vijojë të jetë një statistikë e zgjedhjeve në Shqipëri. Duhet lidership i fortë për ta nxjerrë nga kjo mesele, dhe Berisha ka treguar se ka qenë zgjidhje për PD në ditët e saj më të vështira. I vetmi politikan i larguar me armë dhe i kthyer me votë. Unë dhe shumë të rinj demokratë kërkojmë hapjen e partisë dhe ringritjen e saj në pozitat historike. Kërkojmë që PD të jetë opozitë e fortë dhe serioze, sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një alternativë të fortë dhe serioze për shqiptarët. Kjo duhet bërë një orë e më parë. Menjëherë pas 11 dhjetorit. Nuk ka më kohë për të humbur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here