Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, janë përfshirë në debat me nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili në sallën e Kuvendit.
Debati nisi pasi Vasili në fjalën e tij deklaroi se ai, deputetët e opozitës dhe qytetarët janë të paqartë për shpërndarjen e buxhetit të vitit 2022 sa i përket dikasterit të Shëndetësisë.
Ibrahimaj u përgjigj se qeveria ka bërë transparencë të plotë në lidhje me përdorimin dhe efektin e borxhit, ndërsa shtoi se borxhi i marrë dy vitet e fundit është përkthyer në rritje ekonomike.
“Ka marrë borxh për të përballuar situatën e tërmetit dhe pandemisë. Qeveria ka transparencë mbi përdorimin, efektet dhe çfarë ka bërë me këto lekë. Kemi marrë borxh dy vitet e fundit por është përkthyer në rritje ekonomike. Kjo rritje jo vetëm është me e lartë se parashikimet tona, por edhe më e lartë se parashikimi i FMN-së. Më vjen keq të dëgjoj në mënyrë të përsëritur që ju thoni se nuk dini se ku shkojnë dhe për çfarë përdoren këto lekë. Kjo marrëveshje është e parashikuar nuk del aspak jashtë tavaneve që ku Kuvend ka parashikuar”, tha Ibrahimaj.
Kjo ka sjellë ndërhyrjen e Vasilit, i cili u shpreh: “Unë nuk e kuptoj dot kurajon e një anëtareje qeverie që merr përsipër të gënjejë publikisht. Kjo marrëveshje ka sëbashku shtojca, të barasvlershme ligjërisht për tu zbatuar. Zonja ministre transparencë do të thotë që këto vendet boshe të ishin me shifra plot dhe shqiptarët duhet të dëgjonin kaq: ‘ky borxh që po merret do përdoret për këtë gjë’. Nëse jeni të pazotë për të bërë asgjë sillni një marrëveshje të bardhë dhe kërkoni në votë koperativiste politike”.
Për të sqaruarmë tej nënkryetarin e LSI-së dhe për të hedhur poshtë akuzat e tij ndërhyri edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Në Komisionin e Shëndetësisë janë dhënë me detaje të gjitha shpenzimet e kryera dhe çfarë parashikohet të kryhet me këtë kredi. Këtë taktikë po e përdorin shumë vende Europiane. Shifrat dhe të gjitha ato informacione që ju thotë sot thoni se nuk janë dhënë janë dhënë në Komisione.
Të vërtetat janë të raportuara me shifra dhe fakte konkrete, për të gjithë faturën e përballimit të pandemisë. Të gjitha faturat janë të llogaritura me transparencë maksimale”, u shpreh Ministrja.
Ndërsa Petrit Vasili këmbëngul në faktin se në dokumentin që i është dorëzuar deputetëve nuk ka transparencë.
“Tabela është e bardhë dhe gjithë këto dëngla nuk kanë lidhje me ne fare. Nëse ju zonja kryetare mund të thoni ka një korrigjim dhe dokumentet kanë ardhur dhe janë të pajisur me numra, sërish këto janë pa asnjë specifikim. Kush merr përsipër të gënjejë publikisht këtu duhet të marrë përgjegjësitë”, përmbyll ai.