Ish-deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka qenë një nga studentët e lëvizjes së Dhjetorit ’90 kur rrëzuan regjimin komunist.
Më tej, Majko u shpreh: “Të kërkosh demokraci, nuk do të thotë të jesh antikomunist”.
Majko u pyet përse si ish-dhjetorit nuk iu bashkua Partisë Demokratike në atë kohë, por shkoi tek Partia Socialiste.
Majko u shpreh se ai nuk ka qenë ndonjëherë komunist, por as nuk ka qenë antikomunist.
Blendi Fevziu: Je ndër të paktët dhjetoristë bashkë me Ilir Metën që nga takimi me Ramiz Alinë si përfaqësues i studentëve të protestës shkove te Partia Socialiaste ku u bëre dy herë kryeministër.
Pandeli Majko: Për një arsye shumë të thjeshtë. Partia Demokratike nuk ishte partia ime. U ndava me ta miqësisht.
Blendi Fevziu: Po pse, Partia e Punës partia jote ishte?
Pandeli Majko: Kjo është njësoj si të pyesësh anëtarët e Partisë Komuniste pse shkuan me Partinë Demokratike. Partia Demokratike ishte partia e njerëzve që kundërshtonin komunizmin dhe ishin antikomunistë. Unë nuk isha komunist, por nuk isha antikomunist.
Unë mendoj që fakti që shumë përfaqësues të lëvizjes së Dhjetorit u shpërndarë në parti të ndryshme tregon universitetin e kësaj lëvizje. Në thelb kjo i bëri mirë Shqipërisë.
Blendi Fevziu: E pate të vështirë zgjedhjen?
Pandeli Majko: Shumë të vështirë.
Elsa Ballauri: Në thelb kjo i bëri keq Shqipërisë do të thuash sepse kishte nevojë për antikomunizëm. Prandaj jemi kështu, kaq keq, sepse nuk e kuptuam çfarë na kishte bërë komunizmi. Duhet të ishim të gjithë në formatet antikomuniste në mënyrë që të kishim parë dhe kuptuar ç’kishte ndodhur dhe pastaj të fillonim një demokraci të vërtetë.
Pandeli Majko: Jam dakord, por është shumë e thjeshtë ta diskutosh këtë nga konteksti i pas 30 viteve.