Shtangistët shqiptarë kanë shkëlqyer sot pasdite në pedanën e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes, turne që po zhvillohet në Tashkent të Uzbekistanit. Briken Calja ka fituar medaljen e artë në peshën 73kg në stilin e shkëputjes, duke ngritur 156kg. Ndërsa Erkand Qerimaj u rendit i katërti.
Calja e nisi konkurrimin me 152kg, peshë të cilën e ngre që në provën e parë. Ai është i suksesshëm edhe në provën e dytë, kur ngre 154kg. Ndërsa në provën e tretë, ai synon 156kg dhe ia del mbanë, duke siguruar medaljen e artë dhe shfryn gjithë dufin në pedanë. Një garë e suskesshme dhe e zgjuar e Caljes, që arrin të marrë maksimumin nga ky stil.
Ndërsa Qerimaj e nis konkurrimin me 150kg, duke e realizuar me sukses këtë provë hapëse. Më pas, ai tenton 153kg, por nuk e ngre dot këtë peshë në përpjekjen e dytë. Gjithsesi, shkodrani ia del mbanë të ngrejë 153kg në provën e tretë, por humbet medaljen e bronztë për shkak të peshës trupore me rusin Petrov (edhe ky ngriti 153kg).
Ndërsa në stilin e shtytjes Briken Calja shpallet nënkampion bote, duke zënë vendin e dytë pasi ngriti 186 kg, 6 më pak se vendi i parë. Tentoi 190 në provën e tretë, por shtangisti ynë nuk ia doli. Si pasojë, Calja u rendit në vendin dytë në dy garësh.