Vetëm pak orë nga mbledhja e Kuvendit Kombëtar te PD-së, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha ka mbajtur një deklaratë për mediat drejtuar delegatëve dhe anëtarëve të kësaj force politike.
Gjatë deklaratës, Berisha ftoi nesër jo vetëm delegatët që kanë firmosur dhe ata që nuk kanë firmosur për Kuvendin, por edhe Lulzim Bashën.
‘Unë ftoj me këtë rast të gjithë ata delegatë e delegate të Partisë Demokratike, drejtues të saj kryesorë duke përfshirë edhe të themi kryetarin e saj, Lulzim Basha, të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD-së, të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne, të vijnë nesër në rithemelimin e forcës tonë politike.
Ky kuvend është i të gjithë demokratëve. Mungesa e tyre nuk i përjashton ata nga kontributet e ardhshme në PD. Ftoj të gjithë anëtarët e PD-së që kanë mbështetur lëvizjen për një parti më të bashkuar dhe të hapur dhe të gjithë anëtarët e tjerë, të vijnë nesër në ‘Air Albania’, tha lideri historik i demokrateve, Sali Berisha.
Gjithashtu lideri historik u ka bërë thirrje demokratëve që të marrin masa për shkak të motit me reshje shiu dhe temperatura të ulëta.
‘Me këtë mesazh dua t’ju përshëndet shumë përzemërsisht. T’ju ftoj ju të gjithë delegatëve dhe delegatet të Kuvendit të rithemelim të PD që keni firmosur ose nuk keni firmosur formularin të jeni nesër të pranishëm. të vendosni me votën tuaj të lirë rithemelimin e PD.
Rithemelimin e forcës tonë politike, rikthimin e saj në shtëpinë e lirisë së demokratëve shqiptarë. Në një forcë poli8tike të vlerave tradicionale të shoqërisë sonë. Në një forcë të vërtetë opozitare, të sigurt, që do të udhëheqë revolucionin paqësore të shqiptarëve.
Si dikur përmbysëse e sistemit komunisti, sot në përmbysje të narko-shtetit. Rikthimin e votës së lirë për anëtarët, simpatizantët e PD brenda kësaj partie.
Rikthimin e votës së lirë për Shqipërinë shqiptare në tërësi. të dashur delegatë dhe delegate, moti është një faktor që nuk varet nga ne, me gjithë zjarrin dhe entuziazmin që keni nga brenda. Sugjerimi miqësor është që të vinim të përgatitur me veshje të trasha të mundur për mos të ndjerë të ftohtin’.