Lideri historik i PD, Sali Berisha ka folur për mediat pas shkarkimit të Lulzim Bashës nga Kuvendi Kombëtar si kryetar i PD.
Berisha tha se Basha është kufomë politike, ndërsa deklaroi se revolucionit nuk i reziston kush.
Dua të përshëndes demokratët shqiptarë kudo që ndodhen. Qytetarët shqiptarë për këtë ngjarje më e veçanta, më e jashtëzakonshmja në historinë e lirisë së shqiptarëve në kuptimin që Kuvend ishte vepër e anëtarëve të lirë të PD. I pari i këtij lloji në historinë e pluralizmit në vend…Është triumfi më magjik, më mahnitës i të gjithë triumfeve të tjera. Sot, në tetë orë pa pushim mbi 4 mijë e 934 delegatë, vendosën firmat e tyre në këtë monument madhështor të rikthimit të rivendosjes së pluralizimit politik. Në këtë monument madhështor të rithemelimit të PD si forcë vigane, opozitare, në këtë moment historik të revolucionit demokratik paqësor, i cili është në misione të mëdha, për përmbysjen e narkoshtetit, për rivendosjen e të drejtës së shqiptarëve për votën e lirë, pa patronazhistë, pa parti shtet, pa parti kukull. Mirënjohje të madhe ndaj të gjithë atyre që mbushën Foltoret si burim drite dhe erdhën sot si arkitektë e një të ardhmje krejtësisht tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot u zhvillua ndeshja mes lirisë dhe të shkuarës. Takimi më i bukur mes lirisë dhe të ardhmes“, u shpreh Berisha.