Xhaferri: Basha krijoi “opozitë-fasadën” që vrau shpresat e shqiptarëve për 8 vite rresht!

0
286
Nga Besart Xhaferri
Përshëndetje zonja dhe zotërinj,
Unë jam Besart Xhaferri, Sekretar për marrëdhëniet me jashtë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Kam lindur në Mars të 1990, në një sistem totalitar.
Kur mbusha 1 vjeç, u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste.
Kur mbusha 2 vjeç, partia e parë opozitare fitoi zgjedhjet pas 50 vitesh.
Kur mbusha 7 vjeç, pashë që populli sovran mund t’a marrë pushtetin edhe me armë, nëse është i bindur se i është bërë një padrejtësi.
Kur mbusha 15 vjeç, pashë që të rrëzuarit me armë, u rishpikën, u reformuan dhe erdhën përsëri në pushtet, duke qeverisur dhe arritur suksese që as nuk mund ti kishin imagjinuar herën e parë.
Kur mbusha 23 vjeç, i diplomuar në perëndim dhe plot me ëndrra e mall për rikthimin në Shqipëri, pashë që çdo gjë e mirë, rrezikon t’a ketë një fund nëse nuk mbahet e pastër deri në fund.
Në 2020, kur isha 30 vjeç, vajza ime lindi në një regjim totalitar! Në një regjim ku parlamenti ishte njëpartiak, pushteti lokal ju dhurua një partie, dhe retorika e partisë që duhet të vinte në pushtet, u pushtua nga kulti i individit, kultit të “Lulzim Bashës Kryeministër”!
Në 2021, tashmë 31 vjeç, kam detyrën të luftoj një diktatur dy partiake qe ka zaptuar të pesë shtyllat e pushtetit; Ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, mediatik dhe opozitar!
Akoma nuk arrij ta besoj që vajza ime do lindte në një regjim si i ati i saj, pas 30 vitesh! Ky është realiteti të dashur Shqiptar! Ky është realiteti i brezit tim, që ndihet i mashtruar dhe i vrarë!
Kjo është arsyeja pse shumica prej nesh e ka lënë përsëri këtë vend! Nuk e kanë lënë sepse kemi një sistem totalitar përballë; sepse ate e rrëzuan edhe në 1990!
Po e lënë, sepse sistemin totalitar e kemi në shtëpinë tonë sot, shtëpinë e lirisë, Partisë Demokratike të Shqipërisë!
Një sistem, ku për faj të të gjithëve ne, që heshtëm, por mbi të gjitha, për fajin e heshtjes së personit që ka pasur fuqinë për t’a ndaluar këtë tragjedi, Doktor Berishës, u instalua në çdo qelizë të saj, duke vrarë meritokracinë dhe krijuar “opozitë-fasadën” që vrau shpresat e Shqiptarëve për 8 vite rresht!
Po Zoti Basha, ju i vratë shpresat e Shqiptarëve!
Kjo thënie nuk të vjen nga dikush që ka ulëritur “Lulzim Basha” Kryeministër!
Kam parë ata që kanë ulëritur këtë thënie, të cilët tani mendojnë ndryshe, po linçohen sot nga emisarët e tu!
Të vjen nga dikush dhe nga ata që këto fjalë nuk i kanë shqiptuar kurrë, sepse ne jemi partia e lirisë dhe rrymave te ndryshme!
Patjetër, zëri ynë nuk ishte kumbues sepse vendosëm të heshtim dhe të punojmë për PD dhe indirekt për ty Kryeministër!
Nuk morëm kurrë një falenderim dhe mbi të gjitha morrëm tradhëti dhe linçim nëse lëviznim nga retorika e kultit të individit që me aq fanatizëm u mundove të krijoje.
Minimalisht sot, duhet të ishe këtu, paçka se e quan Kuvend ilegjitim, sepse është Kuvendi i Demokratëve, edhe sikur 1% delegatë të kishte këtu!
Por ty nuk të kanë interesuar kurrë demokratët, por karrigia e partisë!
Nuk të kanë interesuar vuajtjet tona, por pazaret politike!
Nuk të kanë interesuar vlerat tona, por lojrat e tua me Kryeministrin!
Nuk të ka interesuar përballja me realitetin, por realiteti virtual i SHQUPIT!
Ky kuvend është historik, sepse për herë të parë, piramidën e drejtimit të partisë, e kthen përmbys!
Kulmin e zëvendëson baza, sovranja e vërtetë e partisë!
Vendimet personale i zëvendëson referendumi!
Arrogancën burokratike e zëvendëson komunikimi njerëzor!
Servilizmin e zëvendëson vullnetarizmi dhe idealizmi!
Bunkerizimin e zëvendëson hapja e partisë dhe bashkë me të edhe e shoqërisë!
Nëse ky kuvend quhet anti-amerikan, atëherë cili është ai pro-amerikan?
Kuvendi i datës 18 Dhjetor do të jetë kuvendi i përjashtimeve, ndërsa ky i sotmi, është ai i thënies së gjërave në sy, ashtu siç janë!
Ky kuvend nuk është Berishist sepse Doktor Berisha ka një llogari personale me Departamentin Amerikan të Shtetit.
E ka vendosur që ta ndjekë në rrugën e tij private dhe ligjore!
Vendimin se kush duhet ti drejtojë demokratët, e vendosin demokratët, jo ambasadat!
E vendosin zgjedhjet e reja në parti, të thirrura nga një kuvend historik i mbledhur me 25% të firmave, për herë të parë në histori!
Dhe në asnjë mënyrë, në asnjë llogjikë demokratike, nuk mund të dënohet një familje e tërë, familja e demokratëve!
Këto janë përralla mediatike dhe shantazhime politike boshe që askush nuk i beson më!
E dini pse?
Sepse kjo ndodhte vetëm në kohën e Enver Hoxhës, ku individi i dënuar, nëse nuk përjashtohej nga familja, merrte me vete të gjithë familjen në fatin e tij!
Unë besoj që Shtetet e Bashkuara, por edhe të BEKUARA, të Amerikës, nuk e kanë këtë standart!
Ndjekin vullnetin e shumicës dhe dinë edhe të reflektojnë!
Ky kuvend mori shkas nga Doktor Berisha sepse ka një llogari të hapur me Demokratët; llogarinë e gabimeve të njëpasnjëshme që bëri këto 8 vite!
Mbi të gjitha, sepse ai ka kapitalin politik dhe njerëzor për ta arritur, ndërkohë që shumë të tjerë së bashku me mua, nuk ia dolën dot këto 8 vite!
Ka llogarinë e premtimeve të këtyre foltoreve, të cilat duhet ti mbajë çdo sekondë, minutë, orë, ditë, javë, muaj dhe vite të angazhimit të tij të ardhshëm në PARTINË DEMOKRATIKE!
Llogaria me ne, nuk trajtohet në mënyra ligjore, as mediatike dhe as institucionale!
Ajo trajtohet në frymën e të vërtetës, të cilën duhet ta ruaj me fanatizëm, sepse ky shanc i DYTË nuk do t’i vijë më KURRË!
Për ta mbyllur, në statutin e rradhës unë propozoj Nenin Basha 2: Partisë Demokratike i ndalohet me statut, bojkotimi i zgjedhjeve dhe djegia e mandateve parlamentare, të cilat e sollën situatën deri në këtë pikë!
Rroftë Partia Demokratike e Shqipërisë!
Rroftë Shqipëria!
Zoti na bekoftë të gjithë!
Gëzuar Ditën e Lindjes së Partisë Demokratike!
Faleminderit!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here