Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi në SPAK Alfred Shehun, ish-prokurorin e Elbasanit që u bë i famshëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit, pasi gënjeu publikisht kur tha se në vendin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit nuk u gjetën materiale zgjedhore. Gjatë konferencës për mediat, prokurori u pyet nëse ishin gjetur apo jo materiale zgjedhore në makinën e patronazhistit të Partisë Socialiste dhe ai e mohoi këtë (VIDEO ME POSHTE)
Menjëherë në media u krahasua deklarata që dha prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu në konferencë me gazetarët, me atë në sallën e gjyqit, pasi zgjedhjet kishin përfunduar. Në media u botuan edhe pjesë nga dosja hetimore që paraqiti në sallë prokurori për vrasjen e Xhuvanit, ku ishin përmendur materialet që kishin të bënin me shitblerjen e votës.
Vrasja e Xhuvanit ngërtheu në vetvete përplasjen më të fortë mes grupimeve politike para zgjedhjeve të 25 Prillit. Për ta përdorur në interes të fushatës u vu në punë e gjithë makineria e manipulimit të pushtetit.
Ngjarja implikoi jo vetëm blerësit e votave për Partinë Socialiste, jo vetëm kriminelë të përfshirë në fushatën e PS-së së Elbasanit, por edhe një ndërhyrje manipulative nga policia dhe prokuroria e qytetit.
Protagonist i padiskutueshëm ishte prokurori Alfred Shehu, i cili duke mohuar gjetjen e materialeve zgjedhore apo materialeve që kishin të bënin me shitblerjen e votës në vendngjarje, i shërbeu socialistëve në pushtet për të fshehur shkakun e krimit, që ishte shitblerja e votave.
Menjëherë pasi kreu shërbimin ndaj socialistëve, karriera e Alfred Shehut njohu vetëm ngjitje.
Nuk kaloi as një muaj nga zgjedhjet dhe prokurori kaloi me sukses vetingun. Disa muaj më pas u ngrit në detyrë dhe u emërua në krye të prokurorisë së Sarandës. Pak muaj më pas, emri i tij u propozua për në SPAK.
Në përfundim të procedurës së vlerësimit, këtë të hënë, Këshilli i Lartë të Prokurorisë vendosi renditjen e tij në vendin e dytë me 211 pikë, duke pranuar propozimin për SPAK.
Lexo edhe: Investigimi/ Vrasja e Elbasanit, skandali që mjafton për të zhvlerësuar 25 prillin
Lexo: Bllok ‘pagesash’ dhe karta ID: Si u manipulua përplasja e përgjakshme e Elbasanit
Promovimi është finalizuar me emërimin në Strukturën e Posaçme AntiKorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, që duhej të ishte ekipi elitë i organit të akuzës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por që gjithnjë e më shumë po i ngjan një seksioni të prokurorisë në shërbim të mazhorancës në pushtet./Lapsi.al