Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili në një konferencë për mediat reagoi për aferën e inceneratorëve.
Ndërsa foli edhe për arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ai tha se ishte i vonuar, pasi sipas tij të gjitha detajet i kishin në zyrë rreth një vit më parë.
“Pse SPAK-u heshti përballë një grup të vërtetë kriminal, banda e incirenatorëve me disa nivele me në krye Edi Ramën në nivel të parë dhe në nivel të tretë me kryetarët e bashkive dhe të korporatave të tjera”, u shpreh Vasili.
Pjesë nga deklarata e nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili:
Gjithë rrjeti mafioz i grabitjes, i jo 3 milionë eurove por i qindra miliona eurove ndodhet aty. Nuk kishte kohë që grupi të fshinte provat, ne i patëm ne kohë dhe i denoncuam në SPAK.
Pse SPAK e la grupin kriminal që të përdorë milionat e tyre për të zgjedhur anëtarët e tij deputetë në Parlamentin e Shqipërisë.
Kishte nevojë për hetime për muaj të tëra që babait të një deputeti i jepej një pagë prej 10 milionë lekësh? Duhej që muaj më parë ata të ishin para drejtësisë.
Ato duartrokitje për këto hapa me regji që po bën SPAK-u janë kundër luftës ndaj kësaj afere. Është fare e qartë që ka patur një vullnet për ta mbajtur çështjen pezull, për të përdorur personazhet e përfshirë për të blerë votat e shqiptarëve me milionat e eurove që kishin vjedhur.
U pa qartë që në shumë qarqe paratë u hodhën para për të blerë zgjedhjet nga banda që ka përfituar miliona. Sigurisht që kjo kërkon një front të bashkuar të gjithë atyre që janë kundër në këtë betejë. Fal denoncimeve të LSI-së janë hedhur këto hapa të vegjël që ju po shihni sot.
Është e çuditshme dhe e papranueshme por dhe një provë e vullnetit të dyshimtë mospjesëmarrja e anëtarëve të LSI-së në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Kujt i intereson, që LSI-së t’i refuzohej pjesëmarrja në këtë komision?
Partia Demokratike organizonte aktivitete në të njëjtën kohë që ne bënim këto denoncime. Si ka mundësi që kryetari i Partisë Demokratike nuk i mbështeti denoncimet e LSI-së. Pasi ndryshojnë denoncimet me numra llogarie, me emra nga ato që janë denoncime të sipërfaqshme dhe që dëmtojnë pak.
Sot është prekur një pjesë e vogël e kësaj afere, mbetet i paprekur inceneratori i Tiranës dhe Fierit, ku shpërdorimi i kryebashkiakëve të këtyre qyteteve ulërin . Kur Erion Veliaj rrëmben kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe qarku të Tiranës dhe i vjen në ndihmë kësaj afere, vetëm aksioni me regji i SPAK mund ta lejë si të pa përfshirë”.