Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi mbrëmjen e sotme se kjo forcë politike nuk ka kërkuar lista për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit.
Në një lidhje Skype me ABC News, Kryemadhi pranoi publikisht që nuk ka marrëveshje me kreun e PD-së Lulzim Basha, duke shtuar më tej se opozita po akuzon më shumë njëri-tjetrin sesa kryeminstrin Edi Rama.
“Kemi vepruar gabim në 4 vitet e kaluara me djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të cilat nxorrën jashtë loje dhe jashtë të gjitha institucioneve demokratike opozitën. Jo duke e minimizuar por duke e nxjerrë jashtë cdo kalkulimi opozitën dhe duke dëmtuar sistemin e demokracisë. Ne sot paguajmë faturën e atyre veprimeve radikale të cilat i kushtuan jashtëzakonisht jo vetëm demokracisë por dhe ekonomisë shqiptare. Shanset janë për ta rimëkëmbur opozitën janë shumë të mëdhaja. Jeta parlamentare nuk është ajo që ka qenë nuk ka më ritmin dhe produktivitetin e diskutimeve sepse diskutime bëhen sipërfaqësore. Por ka një pikë kthese, një dritë jeshile në tunelin e errët të tranzicionit se cdo do të ndodhë javët në vijim, me ngjarjen e ditës denoncimin që ka bërë LSI për të tre inceneratorët të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.”