Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit të PD, deputetja Albana Vokshi u shpreh në Task Force me gazetaren Sonila Meço në Syri Tv, se Lulzim Basha është shkarkuar dhe vullneti i sovranit do të zbatohet.
Ajo tha se Basha nuk ka më agjendë, ndërsa shtoi se ish-kryetari i PD thërret deputetët në mbledhje sa herë vihet në lëvizje Komisioni i Rithemelimit dhe Sali Berisha.
“Komisioni për Rithemelimin e PD ka agjendën e tij, Lulzim Basha nuk ka agjendë. Sheh lëvizjet e Komisionit dhe të Berishës dhe në përgjigje të këtyre lëvizjeve, thërret deputetët. Pse deputetët do e shpëtojnë nga vendimi i sovranit? Askush nuk i shpëton vullnetit të sovranit. Sa më shumë e zgjat, aq më keq është fundi i liderëve, jo fizik, por moral. Lulzim Basha duhet të kishte ikur prej kohësh. Nuk është as europian, as dinjitoz. 43 mijë anëtarë votuan shkarkimin e Lulzim Bashës“, u shpreh Vokshi.