Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një lidhje direkte me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për Kuvendin e Lulzim Bashës në datën 18 dhjetor, Kuvend i shoqëruar nga shumë polemika lidhur me pjesëmarrjen.
I pyetur nga gazetarët në studio, Salianji këmbënguli se në Pallatin e Kongreseve kishte 5004 delegatë, madje ai tha se në sallë ka patur më shumë se 5004 vetë, sepse kishte edhe militantë dhe simpatizantë, përfshirë fëmijë.
Ylli Rakipi: Jemin Gjana deklaroi se kishte 5004 delegatë në sallë. Ku i futët gjithë këta?
Salianji: 5004 delegatët u futën në sallën e Pallatit të Kongreseve, në ambientet përreth dhe sallat e Pallatit të Kongreseve. Emrat i ka publikuar Partia Demokratike një më një. Nuk është takimi i parë, kur janë diku te 7600 delegatë në total. Nuk ka patur ndonjëherë kontestim. Ishte e qartë dhe nuk e di përse ka këtë zhurmë. Nga ana tjetër në mitingun e datës 11, nuk pati kamera dhe nuk pati transparencë, pati kuti që mbusheshin.
Ylli Rakipi: Ju thoni egërsisht që janë vjedhur zgjedhjet e 25 prillit. Ka bërë vjedhje industrial Edi Rama thoni ju. Ndërkohë, ju keni një kongres që merr vetëm 1958 njerëz dhe thoni erdhën 5004 delegatë. Nëse është kështu, më mirë të rrijë Edi Rama sesa ju që trefishoni delegatët për të zgjedhur vetëveten. Si mund të shash Edi Ramën, kur bën këtë?
Ervin Salianji: Në sallën e Pallatit të Kongresit ka patur edhe delegatë edhe militantë. Ata që kanë votuar, kanë vendosur firmën në një listë në 12 komisione.
Ylli Rakipi: Pra ishin mbi 5004 vetë?
Ervin Salianji: Shumica është përcaktuar qartë, ashtu është votuar gjithmonë në PD. Ka patur element shtesë për shkak të skepticizmit. Kaq mund t’ju them për legjitimitetin e atij kuvendi, që nuk është vendosur në diskutim nga askush. Emrat janë lexuar sot publikisht, për rreth tre orë.
Ylli Rakipi: Mazhoranca ka vendosur që replikat në parlament me Lulin ti delegohen Elisa Spiropalit. Ata pretendojnë se nuk ka legjitimitet Basha.
Ervin Salianji: Lajm i mirë është. Nëse nuk njohin legjitimitetin, domethënë ata e kanë problem. Lajm pozitiv është për demokratët.
Mentor Kikia: Po pranoj faktin se në sallë kanë qenë rreth 1900 delegatë. Edhe pse pamë fëmijë që kishin në dorë kartonin. Po pranojmë që në korridore dhe mjedise kanë qenë 3100. Por, gjatë procesit të votimit, ne pamë të votohej vetëm në salle, jo në korridore. Edhe nëse kanë qenë të pranishëm, ata nuk kanë votuar. Vendimet që janë marrë aty, janë konfirmuar vetëm nga 1900 njerëz.
Ervin Salianji: Mbase nuk e keni ndjekur, por kamerat kanë qenë edhe në korridor dhe ka qenë e lidhur me pjesën e ambienteve të brenshme të Kuvendit.
Mentor Kikia: Nuk kanë votuar në korridor.
Ervin Salianji: Padiskutim që po, kanë patur kartonin. Kanë qenë mediat live gjithë kohën. Është procedurë që ka ndodhur përherë në Kuvendet e PD.