Konkurrenca e pamëshirshme nuk është “halli” i vetëm i sulmuesve të Kombëtares. Një pjesë e mirë e tyre kanë pasur një raport të vështirë me trajnerin Edi Reja. E kemi fjalën për Brojën, Kamberin dhe Vrionin… Por, ndonjë tjetër nuk ka asnjë raport me të. Ky është rasti i Armando Sadikut, bomberit kuqezi që hyri në histori me golin e shënuar në Europianin e 2016-ës, por edhe me 12 golat që ka shënuar me fanellën e Shqipërisë në 38 ndeshje.
Një sulmues race që ka qenë i pafat në sezonet e fundit, por është ndier akoma më i zhgënjyer që nuk ka marrë asnjë telefonatë nga trajneri apo stafi kuqezi në momentet e tij më të vështira. “Nuk më ka kontaktuar kurrë. Ndihem keq, sepse të gjithë kalojmë vështirësi, por kur askush nuk të telefonon, atëherë nuk di çfarë të mendosh”, thotë Sadiku në intervistën ekskluzive për
“Panorama Sport”.
Armando, si jeni?
Kemi një ekip shumë të mirë, me një objektiv që është vendi i dytë, që të ngjit edhe në La Liga. Nëse nuk e arrijmë dot, kemi si objektiv të qëndrojmë brenda gjashtë vendeve të para, pasi kemi një mundësi të ngjitemi nëpërmjet “play off”-it. Është e vërtetë që nuk kam luajtur shumë ndeshje, por gjithsesi ndihem mirë, kam një raport shumë të mirë me drejtuesit dhe trajnerin.
A ju mungon Kombëtarja?
Normal që më mungon shumë. Që nga momenti që unë ika në Bolivi, sikur u largova pak nga Kombëtarja dhe humba kontaktet edhe me drejtuesit.
Keni folur ndonjëherë me trajnerin Edi Reja?
Trajneri Edi Reja që kur ka ardhur në drejtimin e Kombëtares shqiptare, nuk më ka marrë asnjëherë, nuk kam folur kurrë me të.
Në të kaluarën ka ndodhur shpesh që lojtarët të cilët kanë hasur probleme i kanë thirrur në ekipin përfaqësues për t’u dhënë një dorë…
Ju a ndiheni i kënaqur me mënyrën si ju kanë trajtuar së fundmi? Nuk e di se çfarë është bërë me lojtarët e tjerë, unë flas për veten time. Që kur është emëruar Edi Reja në stol, unë nuk kam marrë asnjë telefonatë. Madje, as të më pyesë: “Si je?” apo “Si shkojnë gjërat?” Nuk ka pasur asnjë interesim nga ana e tij, kaq.
Ju, Kamberi, Vrioni dhe së fundmi Broja… A e keni menduar ndonjëherë se përse “problemet” Reja i ka me sulmuesit?
Janë disa gjëra që nuk arrij t’i kuptoj. Nën urdhrat e Edi Rejës kam qenë vetëm dy grumbullime dhe nuk kam pasur asnjëherë mundësi që të paktën të flas me të, qoftë edhe një bisedë tek për tek. Unë jam shumë i shoqërueshëm me lojtarët e Kombëtares, i kam të gjithë shokë dhe flas shpesh me ta. Më kanë thënë që asnjë nga ata nuk kanë kontakt me Edi Rejën, është tip që nuk komunikon me lojtarët. Ndërsa për rastin e Armando Brojës, unë kam thënë që në momentin që ka ardhur në Kombëtare se është një supersulmues dhe për mua e meriton që të jetë titullar çdo ndeshje./Panoramasport