Banorët e lagjes ‘5 Maj’ në Tiranë kanë dalë sërish sot në protestë kundër shembjes së banesave të tyre, ndërkohë që, kanë mbi tre muaj që kërkojnë të arrijnë një marrëveshje me Bashkinë, në mënyrë që po u shembën shtëpitë e tyre ata të pajisen me hyrje në pallatet e reja.
Nesër banorët e zgjedhur sipas shorteut do të futen në shtëpitë e reja, por këta banorë që po protestojnë sot nuk figurojnë në listë.
Ende nuk dihet se si do agravojë situata, por ata shprehen të vendosur të mbrojnë pronat e tyre nga shembja.
Banor: Jo se pres gjë për shorteun nesër, jemi 12 familje që na janë shemb shtëpitë dhe mendova se na e shkruan emrin. Nuk na e kanë dhënë bonusin e qerasë, asnjë prej atyre në listë nuk i njoh. Ne jemi rrit këtu me njëri-tjetrin por asnjë i lagjes nuk është në listën. Kërkesa është të na fusë sa më shpejt te hyrjet.
Banor: Unë nuk e kam firmosur letrën se nuk jam dakord me atë marrëveshje. Nëse më fut në qera pasi më shemb shtëpinë, të na mbulojë qiranë dhe të na e hedhë në emër tim jo të atij.
Banor: Kemi tre muaj që po rrimë këtu dhe askush nuk po jep zgjidhje. Çfarë të presim më nga ky shtet me premtime boshe? Unë nuk pres strehim nga Erion Veliaj dhe as nuk dua të më thotë mua po ta dhuroj, se e kam shtëpinë. Unë nuk dal nga shtëpia me dhunë sepse është investim pa asnjë lloj transparence.
Banor: Opozita nuk e kuptoj pse fle gjumë përballë këtij mashtrimi, ndihemi të braktisur nga të dyja anët.
Banor: Na kanë braktisur nga të dy partitë, jemi në mëshirë të fatit dhe nuk ka shtet.