Zbulohet skema e mashtrimit që kompanitë e Call Center në Shqipëri, përdornin për mashtrimin e mijërave shtetasve të huaj përmes programeve kompjuterike.
Fillimisht qytetarët nga vendet e Bashkimit Europian regjistroheshin në platformën Forex.
Një platformë ku vendosnin të dhënat persoanle, si emër, mbiemër, email dhe numrin e telefonit. Menjëherë, punonjësit e Call Center, i kontaktonin në telefon, dhe krijonin besim me klientin e pretenduar. Pas kësaj faze, autorët i bindin klientët që të investonin shuma monetare në bursë.
Fillimisht klienti tundohet të investojë në sasi të vogla, me premtimin se ndërmjetësi i pretenduar i faqes së investimeve do të realizojë një fitim të madh me investigimin e aksioneve dhe valutave të kriptuara.
Por ky premtim se paratë e investuar do të shumëfishoheshin, ishte fiktive.
Përmes kësaj skeme, kompanite Call Center në Tiranë kanë përfituar në mënyrë të paligjshme disa mijëra euro.
Në kuadër të hetimit të nisur në shtator të 2021, Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e 35 personave, mes tyre dhe administratorin e subjektit “RG Capital” shtetasin izraelit, Refael Genish.
Ndërkohë, që 20 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Nga ana tjetër, Prokuroria po kryen hetime edhe për disa Call Center të tjera, pasi ka dyshime se mashtrojnë qytetarë shqiptarë dhe të huaj.