Banorët e Moravës sërish në protestë kundër çmimit të shpronësimeve

0
130

Banorët e fshatit Moravë kanë dalë sot sërish në protestë. Për të tretën herë brenda një muaji, familjet e fshatit Moravë kanë dalë në protestë kundër çmimit tw ulët të shpronësimeve të tokave; serave e banesave të tyre. Protesta e tyre e tretë u zhvendos përpara Aerodromit të NATO-s në Kuçovë. Banorët kanë deklaruar sërish edhe sot se nuk janë dakord me çmimin e përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes për shpronësimet e pronave e tokave të tyre.

Ata shprehen se edhe pse e kanë kundërshtuar me një peticion të firmosur nga të gjitha familjet çmimin e përcaktuar të shpronësimeve në vlerën e 2 milion e 300 lekë (të vjetra) për dynym, deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ata kanë pohuar njëzëri se tokat e tyre do t’i lëshojnë vetëm në rast se shpronësimet do të kryhen sipas çmimeve të tregut.

“Qeveria po tallet me ne. Pronat tona kushtojnë 10-fishi i çmimit me të cilin duan të na shpronësojnë. Ky është një çmim qesharak, ne nuk do lëvizim nga pronat tona dhe nuk do lejojmë që shteti të na i marri”, deklaruan ata.

Kjo është protesta e tretë e banorëve të fshatit Moravë, që deklarojnë se do t’i përshkallëzojnë protestat e tyre deri në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe Ambasadën Amerikane. Nga projekti i ndërtimit të Aerodromit të NATO-s në Kuçovë preken rreth 213 familje që jetojnë përgjatë aksit nacional Dimal-Berat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here