E ftuar në emisionin Ora 19 në SYRI TV me Juli Kristafin, Nënkryetarja e LSI-së Kejdi Mehemetaj ka folur mbi skandalin e inceneratorëve dhe pagesën e fundit nga qeveria në 15 dhjetor, për Klodian Zoton, njërin nga personat e shpallur në kërkim nga drejtësia.
Mehmetaj ka theksuar se kjo është një nga aferat më të renda korruptive që ka kaluar vendi në këto vitet e fundit, bëhet fjalë për miliarda para nga taksat tona që kanë shkuar në xhepat e shumë pak njerëzve dhe pushtetarëve.
Mehmetaj: Asgjë që po ndodh dhe ka ndodhur me historinë e inceneratorëve nuk është normale. Ne si LSI mbajtëm edhe një qëndrim pas vendimit të SPAK i cili më në fund prodhoi diçka nga të gjitha ato materiale dhe informacioneve që edhe ne si LSI kemi depozituar mjaftueshëm informacion pranë tyre, me arrestimin e zotit Koka dhe kemi thënë që jo vetëm është e pamjaftueshëm dhe e vonuar por duket si një ngjarje me regji dhe skenar të qartë, arsyet e të cilit do ti kuptojmë në vijimësi.
E njëjta gjë ndodh edhe me rastin e zoti Zoto, mbi të cilin jo vetëm SPAK duhet të kishte vepruar mbi bizneset e tij, që janë bizneset e taksapaguesve shqiptarë, pasi ka dalë në publik që të gjitha biznese e inceneratorëve kanë nisur aktivitetin e tyre me nga 1 milion lekë të vjetra dhe e gjithë paraja tjetër e këtyre bizneseve janë para të taksapaguesve tonë, të xhepit të qytetarëve, të buxhetit të shtetit apo dhe bashkive.
Ne kemi punuar me atë dosje dhe e njohim mjaft mirë me materialin pasi edhe zonja Kryemadhi e ka thënë disa herë dhe shpresojmë shumë që të mos kalojë më shumë kohë sec duhet që të gjitha hallkat të vendosen para drejtësisë.
Shqiptarët duhet ta kuptojnë se kjo është një nga aferat më të renda korruptive që ka kaluar vendi në këto vitet e fundit, bëhet fjalë për miliarda para nga taksat tona që kanë shkuar në xhepat e shumë pak njerëzve dhe pushtetarëve. Peshku qelbet nga koka dhe dihet se koka është Edi Rama i shpërndarë në ministra ish ministra, drejtora dhe sekretarë të përgjithshëm.