Integrimi evropian/ Ambasadorja franceze Barsacq: Nuk ka ndarje nga Maqedonia e Veriut

0
175

Ambasadorja e Francës e akredituar në vendin tonë, Elisabeth Barsacq, duke komentuar mbledhjen e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të ‘Open Balkan’, është shprehur se çështja e vërtetë në gjithë këtë është dhe mbetet njohja e Kosovës nga Serbia.

Ajo tha se e sheh me skepticizëm këtë inicativë pa Kosovën, dhe mendon se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet për Evropën.

Ndërkohë, duke folur për një ndarje të mundshme të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut përsa i përket çështjes së integrimit të tyre evropian, Barsacq u shpreh se kurrsesi nuk do të kemi një ndarje të këtyre dy vendeve në rrugëtimin e tyre drejt BE, ndërsa shtoi se pozicioni i BE dhe i Francës është të inistojë në rëndësinë e punës së përbashkët mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Besoj se çdo gjë që është bërë në nënshkrimin e marrëveshjeve për të ecur përpara dhe për të rritur shkëmbimet dypalëshe është shumë mirë, por nëse e shikoni nga pikëpamja globale e të gjithë rajonit, çështja e vërtetë mbetet njohja e Kosovës nga Serbia dhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Nuk do të mund të ndërtojmë në mënyrë të qëndrueshme një Evropë vërtet sovrane nëse nuk e kemi këtë dialog dhe nuk ecim përpara në këtë fushë. Për t’u rikthyer në gjëra shumë konkrete, siç e dini që prej 1 korrikut 2021 është vendosur free roaming mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kur kjo gjë u bë e mundur, menjëherë më shkoi mendja tek momenti kur Franca dhe Gjermania vendosën të bashkojnë qymyrin dhe çelikun. Fillohet me gjëra të tilla, ndoshta jo shumë spektakolare, për të shkuar drejt gjërave vërtet thelbësore.

Sot, të komunikosh lirshëm, të përdorësh telefonin kudo ku je në rajon, është pak a shumë sikur të jetë qymyri i komunikimit tonë. Në një rajon ku mund të qarkullohet shpejt sepse distancat nuk janë shumë të mëdha, nga Shkodra mund të shkosh të drekosh në Podgoricë dhe të mos kesh problem me telefonin”, u shpreh ndër të tjera ambasadorja franceze.

Në intervistën në emisionin “Mirëmëngjes” në Euronews Albania, ambasadorja Elisabeth Barsacq tha se marrëdhëniet e mira me vendet fqinje janë të rëndëësishme në perspektivën evropiane.

“Kjo është shumë e rëndësishme edhe për sa i përket perspektivës evropiane, dmth që kufijtë të jenë diçka shpirtërore. Kjo nuk do të thotë se nuk je më në vendin tënd, por fakti që nuk ka kufj do të thotë se ke marrëdhënie të mira me vendin fqinj. Në këtë kuadër ka disa projekte të financuara nga BE-ja, si INTEREG, shumë interesantë.

Vende të ndryshme të një rajoni punojnë së bashku për të zbatuar, për shembull, një program për mbrojtjen e një specieje në rrezik në një zonë malore kufitare mes dy a më shumë vendesh”, tha në lidhje me këtë çështje ambasadorja franceze, Elisabeth Barsacq./Euronews

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here