Pagesat për inceneratorët, ekspertët sugjerojnë pezullim të kontratave koncesionare

0
129

Nga Blerina Gjoka

Pas një hetimi të gjatë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor me akuzat e ‘shpërdorimit të detyrës’, ‘korrupsionit pasiv’ si dhe ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’ gjatë procedurave për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Dy pronarët e kompanive të lidhura me inceneratorët, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto u akuzuan gjithashtu për ‘korrupsion aktiv’ dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, por janë në arrati. Të dy ata zotërojnë kompanitë që kanë aktualisht kontrata për ndërtimin e inceneratorëve të Fierit dhe Tiranës me vlerë qindra milionë euro.

Qeveria shqiptare e gjendur përballë këtij skandali nuk ka preferuar që të rishikojë kontratat koncensionare me Gugalljan dhe Zoton, përkundrazi ka vijuar pagesat nga thesari i shtetit në adresë të kompanive të tyre.

Vendimi u justifikua nga kryeministri Edi Rama si një detyrim ligjor i qeverisë për të respektuar kontratat me këto kompani, ndërsa inceneratorët i quajti “vepra të mëdha” që s’kanë lidhje me korrupsionin që kanë bërë individët.

” style=”padding: 0px; margin: 0px auto; box-sizing: border-box; width: 300px; border: none; display: block;”>

“Janë marrëdhënie kontraktuale të cilat imponohen nga ligji për të vazhduar deri kur të ketë vendime të formës së prerë nga gjykatat,” tha Rama në një konferenc për shtyp në prag të Vitit të Ri.

“Janë marrëdhënie kontraktuale që duhet të zbatohen derisa të flasë drejtësia,” shtoi ai.

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku theksoi më herët se rrezikohej arbitrazhi ndërkombëtar në dëm të shtetit shqiptar nëse ndërpriteshin këto kontrata.

Por ekspertë të ekonomisë dhe jurispudencës e konsiderojnë naive dhe të qëllimshme justifikimin e qeverisë duke argumentuar se kontratat koncensionare mund të pezullohen ose të prishen nga shteti kur kemi të bëjmë me afera korruptive.

Ish-avokatja e shtetit, Ledina Mandia, i tha BIRN-it se arbitrazhi është një arsyetim naiv nga ana e qeverisë, pasi sipas saj ekzistojnë raste kur arbitrazhi e ka cilësuar të drejtë prishjen e një kontrate, kur ajo është marrë në mënyrë korruptive.

Edhe eksperti i ekonomisë Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Kërkime Ekonomike, u shpreh se ky argument nuk qëndron.

“Një kontratë e fituar në mënyrë të paligjshme nuk ka gjykatë në botë që e mbron,” tha ai.

“Kontrata duhet prishur”

Ndërkohë që qeveria shqiptare thotë se i ka duart e lidhura nga kontrata, ekspertët mendojnë se ajo nuk po mbron interesin publik duke hedhur miliona euro në xhepat e njerëzve që kërkohen nga drejtësia për pastrim parash dhe korrupsion.

“Ngjarja është shumë e rëndë dhe bëhet fjalë për miliona euro të shqiptarëve që nuk dihet në xhepat e kujt shkojnë”, thotë Mandia, e cila i sugjeron qeverisë që të konsultohet me avokatë të njohur në fushën e arbitrazhit për të prishur kontratën.

Mandia, e cila është lektore e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke iu referuar praktikave të tribunaleve të arbitrazhit, thotë se ato “janë shumë sensitive në raste të tilla dhe nga praktika ka patur raste ndaj shteteve të tjera kur nuk kanë gjetur shkelje dhe nuk kanë ngarkuar me detyrim financiar shtetet per prishje të njëanshme të kontratës”.

Zef Preci shprehet se janë evidente tashmë provat që ka sjellë SPAK për procedurën e paligjshme me të cilën është fituar kjo kontratë, procedura ku sipas tij, nuk janë zbatuar praktikat e qeverisjes së mirë të fondeve publike.

“Një kontratë e fituar në mënyrë të paligjshme nuk ka gjykatë në botë që e mbron”, komenton ai, ndërsa sugjeron pezullimin e kontratës.

“Mungesa e reagimit të agjencive shtetërore duhet parë si mungesë e vullnetit të tyre për të respektuar ligjin, minimalisht pezullimin e transaksioneve të mëtejshme dhe marrjen në kontroll të këtyre aseteve,” shtoi Preçi.

Për Mandinë është papërgjegjshmëri që qeveria nuk reagon, por justifikohet me frikën e arbitrazhit. Ajo bën sugjerime specifike juridike për qeverinë për të prishur kontratat konçensionare me personat që janë në hetim dhe kërkim nga drejtësia.

“Qeveria, që të nesërmen e njoftimit nga SPAK do duhej të kishte ngritur grupin e gjerë të punës për të vlerësuar dokumentacionin , kontratat, dhe gjetur mundësi të prishjes së kontratave në mënyrë që të mos ketë pasoja financiare për Republikën e Shqipërisë”, i tha ajo BIRN-it.

Mandia beson se nëse ka vullnet nga qeveria për të ndihmuar SPAK në zbardhjen e të vërtetës dhe ndiqen korrekt procedurat nuk përsëritet rasti “Becchetti’.

Sipas saj qeveria duhet të niste një operacion profesional dhe mekanizma diskrecionarë duke përfshirë avokatë të huaj për shmangur pasojat financiare. Por, nëse qeveria nuk merr hapa dhe justifikohet me përmbushje të kushteve kontraktore, ‘kjo të lë të mendosh se është e kapur’, shtoi ajo.

Rama po ndikon hetimin

Sipas Zef Precit reagimet e kryeministrit ndaj aferës së inceneratorëve dhe mbrojtja publike që i bën ai procedurave të ndjekura për koncensionet, synojnë të ndikojë hetimin e SPAK-ut. Ai mendon se të njëjtin mesazh për organet hetuese jep dhe vijimi i pagesave për personat e shpallur në kërkim.

“Ajo çka unë konstatoj me keqardhje në reagimet e Ramës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë po ndikohet procesi hetimor i SPAK,” tha ai.

“Shihet qartë se në mënyrë indirekte po tentohet të shmanget hetimi i hollësishëm i procedurës së ndjekur deri në nënshkrimin e këtyre kontratave klienteliste të dyshuara në mënyrë të arsyeshme për korrupsion dhe abuzim me fondet publike,” shtoi Preçi.

Duke iu referuar ndërhyrjeve publike të Ramës, Preçi e shikon sjelljen e kryeministrit si “orientim” i hetimeve për të lënë jashtë tyre procedurën e dhënies së këtyre kontratave.

“Jo vetëm që po ndikohen hetimet, por edhe për faktin se po krijohet një situatë absurde, p.sh. mjafton qe  pronari i një kompanie të korruptojë një zyrtar duke përfituar një kontratë në mënyrë të paligjshme dhe kështu askush nuk mund ta prekë se ai “tund kontratën dhe kërcënon se do të shkojë në gjykatë” dhe qeveria paguan duke ‘respektuar’ ligjin”, theksoi ai.

Sipas Preçit kjo sjellje nuk ndodh as në vendet më të korruptuara të botës.

“Kudo kontrata e dyshuar dergohet për vleresim në gjykatë, ndersa qeveria apo enti publik pezullon pagesat deri në zbardhjen e situatës”, tha Preçi.

Nga ana tjetër Mandia nuk beson se hetimet e SPAK ndikohen nga vendimi i qeverisë për të paguar pronarët e kompanive konçensionare.

“SPAK duhet të ndërhyjë në lidhje me zbatimin e këtyre kontratave, nëse me të vërtetë ka elementë të veprave penale,” tha ajo.

Ndërkohë Preçi këmbëgul se SPAK duhet të sqarojë opinionin publik për paligjshmërinë e këtyre kontratave dhe përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në aferën korruptive.

“Si mundet që një bashki (Elbasani në rastin e parë) të shpallë gjendjen e emergjencës kur pagat i kanë marrë të gjithë, madje edhe me shtesa personeli, kur fondet i kanë pasë në dispozicion dhe përse nuk kanë përmbushur detyrat sipas ligjit për pastrimin e qytetit,” pyet ai.

“Këtu mendoj se fillon afera dhe këtu nis zinxhiri i veprimeve të dyshimta të mëvonshme,” përfundoi Preçi./BIRN/

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here