Përzënia e Rilindjes Demokratike nga zyrat, akt urrejtje i Lul Bravës ndaj fjalës së lirë!

0
135

Nga Sali Berisha

Të dashur miq, dje në 30-vjetorin e Rilindjes Demokratike, Peng-Basha me urdhër të pengmarrësit të tij Edvin Rama, në një akt intolerance dhe urrejtje për fjalën e lirë, përzuri me dhunë nga zyrat e veta në Selinë e Partisë Demokratike gazetën Rilindja Demokratike, gazetarët e saj.

Ky akt i shëmtuar antidemokratik erdhi si rezultat i qëndrimeve dinjitoze dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes të Rilindjes Demokratike. Gazetaret dhe kryeredaktori i saj Bledi Kasmi, në kulmin e krizës që kaloi Partia Demokratike, dëshmuan para demokratëve dhe mbarë shqiptarëve se Rilindja Demokratike nuk ishte gazetë e Sali Berishës, as dhe e Lulzim Bravës, por kishte mbetur besnike e misionit të saj të madh për të cilin lindi: zëdhënëse e fjalës së lirë, e të vërtetës, anticensurës, mendimit të pavarur intelektual, transparencës të guximshme të krimeve të narkoshtetit, interesit kombëtar.

Deputeti Lulzim Basha me dëbimin e gazetarëve të gazetës  Rilindja Demokratike kreu ndaj kësaj gazete një akt të pashembullt, të cilin nuk e ndërmorën në lindjen e saj diktatori Ramiz Alia, as dhe rebelët komunistë që erdhën në pushtet me flakë dhe tym në vitin 1997.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë dhunim të pashembullt të fjalës së lirë, gazetarëve dhe gazetës Rilindja Demokratike në 31-vjetorin e tyre, ju bëj thirrje shoqatave të gazetarëve  të vendit dhe të huaja, si dhe institucioneve ndërkombëtare, zyrave të OKB, OSBE, KE, PE, që merren me lirinë e medieve, të dënojnë këtë akt të pashembullt banditesk ndaj medieve të deputetit peng të qeverisë, Lulzim Brava.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here