Komisioni i Rithemelimit të PD së është rikthyer sërish sot në ambientet e selisë së partisë demokratike, ku dyert kanë qenë sërish të mbyllura. Sipas tyre ky është një rast i paprecedentë dhe për këtë arsye është i nevojshëm rithemelimi i partisë. Ata ftuan të gjithë demokratët që nesër të vijnë dhe të ekzekutojnë vendimin e referendumit.
“Kjo është situata sot në PD kanë tentuar edhe dje e pardje, deputetë e kandidatë dhe selia është e mbyllur. Është rast unikal që një parti në opozitë mbyll dyert për mbështetësit e vet. Është një parti pa vizion prandaj është i nevojshëm rithemelimi dhe nesër demokratë nga gjithë Shqipëria do të ekzekutojnë vendimin”, u shpreh Ervin Minarolli.
Ndërkohë Grigels Muçollari nga FRPD ngriti akuza ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi, se ka mashtruar me emrat e të pranishmëve në Kuvendin e 18 dhjetorit. Sipas tij qindra emra janë lexuar nga 2-3 herë apo janë shtuar emra jo realë në mënyrë artificiale.
“Këta janë një grup njerëzish që kanë uzurpuar partinë në mënyrë të padrejtë. Bardhi ka mashtruar opinion publik dhe ata demokratë që mund ta mbështesin atë. Bardhi ka lexuar emrat që pretendon se kanë qenë te kuvendi. Delegatët janë 1534 ku mbi gjysma nuk ishin të pranishëm, mbi 200 i ka lexuar tre herë për të rritur prezencën. Ka emra që nuk janë emra reale dhe janë shtuar në mënyrë artificiale, rezultojnë emra të shpikur ose që mund të kenë vdekur. Hetoni dhe nxirrni të vërtetën mos u mjaftoni me deklarata shterpë”.