Selia e PD po blindohet! ‘Bardhi gënjen! Spaho: Në protestë, derisa të largojmë Bashën

0
120

Ish-nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, akuzon sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi se gënjen kur thotë në publik se dyert janë mbyllur për të kryer punimet në seli.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Spaho thotë se ditën e shtunë, protesta do arrijë objektivin për largimin e Bashës nga selia e PD-së, pasi sipas tij është shkarkuar nga Kuvendi i PD-së dhe anëtarësia.

Z. Spaho, cili ishte qëllimi i vizitës tuaj së bashku me kolegët tuaj në selinë e PD-së? Përse nuk pritet që administrata të hapte derën, pasi z. Bardhi dekaroi se për shkak se po kryhen punime duhet njoftuar administrata?

Shkuam për të diskutuar mbi ecurinë e sesionit të ri parlamentar. U penguam të hyjmë në selinë e PD-së, jo se po bëhen punime, por se ajo po blindohet nga frika që ka Basha dhe njerëzit e tij nga protesta paqësore e 8 janarit.

Keni tentuar ju të komunikoni me administratën në këto dy ditë?

Mos besoni gënjeshtrat e z. Bardhi për punime dhe administratë. Sot, janë botuar prova me foto të dyerve të blinduara, si dhe të njerëzve me maska që rrinë ne ambientet e brendshme të PD-së.

Ditën e shtunë, është paralajmëruar protestë para selisë blu. Kjo protestë është kundër Bashës?

Protesta është thirrur dhe do të jetë paqësore për të zbatuar vendimet e Kuvendit të PD-së të datës 11.12.2021. Basha është shkarkuar me votat e 4446 delegateve në Kuvend, si dhe 44 mijë anëtarëve të PD-së që morën pjesë në referendum. Duke qenë se nuk është më kryetar i PD-së, ai duhet të lirojë zyrat, pasi ato i takojnë anëtarësisë së kësaj force politike.

Do qëndroni aty derisa të arrini objektivin e protestës?

Patjetër që objektivi i protestës do arrihet. Rama dhe Basha nuk mund të mposhtin dot vullnetin e anëtarësisë së PD-së.

Nëse z. Basha dhe lidershipi do vijojë të mos njohin vendimet, si do e nxirrni atë nga selia?

Protesta do të jetë paqësore dhe largimi i tij do të bëhet në mënyre paqësore. Rama dhe Basha nuk duhet t’i provokojnë demokratët.

Mendoni se këto përplasje dëmtojnë partinë më të madhe në opozitë?

Opozita deri në shtator 2021 ishte kthyer në shtojcë të narkoshtetit të Ramës për shkak të marrjes peng të Bashës nga Rama. “Foltorja” zgjoi shpirtin e demokratëve dhe iu ringjalli atyre besimin në fitore.

SHBA-ja ka thënë se PD-ja do ketë pasoja, nëse në krye shkon z. Berisha. Indirekt nuk mund të interpretohet lëvizja juaj si penalizuese për demokratët?

SHBA-ja është demokracia më e madhe në botë, ku fjala e lirë dhe zgjedhja e qytetarëve respektohet më shumë se çdo gjë tjetër. Prandaj, Kushtetuta e SHBA-së fillon me “Ne Populli…”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here