Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi shprehu keqardhje për incidentet që shënjuan protestën e thirrur nga Sali Berisha më 8 janar, por theksoi se kjo erdhi për shkak të Lulzim Bashës. Në studion e Debatit me Alba Alishanin, ai pranon që e gjithë kjo nisi pas shpalljes non grata të Berishës, ndërsa akuzon kreun demokrat se kërkon bunkerizimin e PD-së.
“E vetmja mënyrë sesi PD mund të dalë nga kjo krizë është duke thënë të vërtetën. Është plotësuar pritshmëria që Basha kishte, që mbi selinë e PD të kishte incidente. Jam shumë i keqardhur që selia e PD pati ato incidente, por kjo është pasoja e një shkaku që ka 4 muaj dhe që na solli në këtë ditë dhe ai është vetëm zoti Basha. E vërtetë që nisi në 9 shtator që kur u shpall Berisha non grata, nuk e kam mohuar, por Basha nuk ka reshtur së thëni që në PD nuk ka krizë, nuk ka problem. Asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që nga 13 qershori kur u rizgjodh kryetar partie dhe ky individ që është i shkarkuar nga kuvendi i PD, zgjidhjen e vetme gjeti bunkerizimin dhe kërkon ta kthejë në bunker PD”.