Llogaritë/ Shpejtësia me të cilën deputeti Basha po e shpërbën PD-në

0
213

Menjëherë pasi mori vendimin për të pezulluar Berishën nga grupi parlamentar, Lulzim Basha e përligji vendimin e tij personal me justifikimin: ‘E bëra për të mos përçarë PD’.

Sot pasojë e këtij akti nuk janë vetëm skenat e fëlliqura të përleshjes së demokratëve me njëri- tjetrin, por edhe reduktimi i forcës numerike të opozitës.

Tani PD është më e dobët se kurrë, me një forum rinor të shpërbërë, me atë të gruas lesh e li dhe me aleancën plotësisht të prishur me LSI-në, që ndonëse numëron vetëm katër deputetë, edhe në ditën e saj më te keqe ka rreth 100 mijë vota opozitare.

Që kur ka filluar Kuvendi, Basha pothuajse e ka përfunduar koordinimin me 7 deputetët aleatë të partive të djathta, të cilët jo vetëm nuk janë mbledhur më sëbashku, po as nuk kanë bashkëvepruar në kuvend.

Por, akti i i fundit i përjashtimit ‘de jure’ të katër deputetëve të foltores dhe ‘de facto’ edhe të 9 të tjerëve që kanë mbështetur aksionin e Berishës e ka tkurrur rëndë fuqinë e fraksionit të vulës në parlament.

Dhe po të shtosh këtu edhe faktin se legjitimiteti dhe morali i një pjese të këtyre deputetëve ka rënë – pasi ata ngjanë më shumë me opozitën e re të Murrizit dhe Rudina Hajdarit-, besueshmëria e një kundërshtimi ndaj Ramës ka shkuar afër zeros. Boll të shohësh qarkun kryesor, atë të Tiranës, për të rrokur përmasën e tragjedisë.

Në kryeqytetet, bashkë me atë vetë grupi i Bashës ka vetëm 5 anëtarë (Grida Duma, Jorida Tabaku, Alfred Rushaj dhe Oriola Pampuri).

Për këtë arsye dhe për rrethanat e kohëve të fundit, pro berishisti Edi Paloka iu drejtua me këtë mesazh të hapur kolegëve të tij: ‘Keni menduar te dilni ne baze?

Edhe në rrugë do ju vij turp të dilni nëse pranoni të përdoreni nga Basha e Rama. Si do shkoni në zonat tuaja tek demokratet? Votat e kujt do kërkoni, apo do ju a jap Edvini me policët e tij?

Po në Parlament si do e bëni opozitën?! Mendoni pak, kur të duhet të dilni në Parlament e të sulmoni Ramën si opozitarë. E dini si do ju përgjigjet ?

‘Mor Lul po ti me këta të tjerët, po më qaje në telefon që të të sillja policinë e krimit e të të shpëtonte nga demokratët…!’

Do pranoni të bëheni më qesharakë se ‘kerperata’ e jenisheri në Parlament (se dhe ata në fakt deputete të Lulit ishin)?

Me sa duket i nisur nga i njëjti shqetësim edhe Agron Gjekmarkaj, ndonëse i rreshtuar pro Bashës, i bëri atij thirrje që krizën ta zgjidhë jo me përplasje por me votë: ‘atij më shumë se kujtdo i bie barra për të gjetur zgjidhje, jo fjalime, e përsëris, zgjidhje që ofrojnë shanse për të gjithë, për t’u kthyer për të konkurruar për kryetar e çdo gjë tjetër, për të kontribuar, duke mundur çdo gjykim e paragjykim’ shkroi ai duke shtuar se vetëm kjo është rruga për të mos marrë mbi vete mallkimin e demokratëve.

Por vetëm dy ditë pasi dëgjoi thirrje racionale si ato të deputetit asnjanës, Tomor Alizoti, Basha shpalli përjashtimet e reja duke treguar se karrigen kërkon ta mbajë qoftë edhe me çmimin e mallkimit nga anëtarësia./Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here