“Kukullat” e Lulzim Bashës/ Si po montohen manekinët e rinj politikë në selinë e PD-së

0
151

Nëse ka një model që Edi Rama e ideoi dhe më pas e perfeksionoi në jetën publike, është ai i manekinit politik. Ky është një lloj zari politik, që jo vetëm nuk kundërshton, por as nuk mendon, as nuk llogjikon, as nuk i dëgjon argumentat pro apo kundër çështjes që diskutohet, por thjesht është i gatshëm të recitojë përmendësh të njëjtat fraza, që i ka memorizuar në zyrën e shtypit në PS apo në kryeministri. Për t’u kurdisur i mjafton një post në PS, apo në administratë.

Partia Socialiste sot ka në dispozicion një grup robotësh politikë, që janë të aftë të artikulojnë mekanikisht para kamerave çdo deklaratë që i vihet para, pa u skuqur, pa u zverdhur dhe me raste pa e kuptuar rëndësinë e asaj që që thonë.

Por ditët e fundit, i njëjti produkt po tentohet të shitet edhe nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Selia e PD-së është shndërruar në një skenë, për të prodhuar materiale propagandistike të gatshme, duke përdorur pikërisht manekinë të tillë politikë, të cilët nuk e kanë problem të vënë fytyrën e tyre dhe të thonë gjithçka i parapërgatitet.

Fabula është protesta e 8 janarit dhe struktura e mesazhit është e njëjta.

Pika e parë, “ne ishim brenda duke bërë një mbledhje”. Pika e dytë, “Berisha erdhi me kriminelë për të na dhunuar dhe vrarë”. Pika e tretë, “Berisha duhet të largohet një herë e mirë nga PD”.

Pamjet montohen në selinë e PD-së në kënde të ndryshme të godinës. Dikush në një zyrë, ku grilat janë në tokë edhe pas 5 ditësh, një tjetër pranë një xhami të thyer, ndonjë në një pjesë të shkallëve ende të papastruara e kështu me radhë, çdo ditë një video për t’u shpërndarë në Facebook.

I fundit që recitoi Gazmend Koduzi, siç duket në videon më lart.

Para tij ishte Blendi Sulaj, anëtar i Këshillit Kombëtar. “Një njeri që shkelte mbi kufoma” e përshkruan ai Sali Berishën, ndërsa pas tij një grilë e rrëzuar varet mbi printerin e zyrës.

Marinela Ziun e kanë vënë të flasë ndërsa ecën. Rrëfimi i ndjeshëm i drejtueses së zyrës juridike merr formë në ambjent ku po zëvëndësohen xhamat e thyer. Fjalët recitohen ngadalë, me një zë në ngritje ndërsa në fund mesazhi bëhet më shpresëdhënës.

 

Mirlinda Çollaku, kryetare e degës nr.2 të Tiranës flet në një pjesë të oborrit që është ende i papastruar nga dëmet e 8 Janarit. Edhe ajo me një rrëfim të ndjerë, edhe ajo e zhgënjyer nga Berisha.

Për Ori Nebiajn ka qenë më e lehtë të flasë para kamerës, duke qenë se punon në televizion. Megjithëse të shtunën e 8 Janarit shpërndante foto nga Maldivet në profilin e saj në Instagram, ajo thotë se e vuajti shumë atë që ndodhi në selinë e PD-së.

Pavarësisht se sa të ndjera janë përjetimet e manekinëve të Lulzim Bashës, ajo që i bashkon janë gjysëm-të vërtetat. Në rrëfime nuk përmdendet asgjë nga ajo që ndodhi para 8 Janarit, për blindimin e dyerve nga mbështetësit e Bashës, për përjashtimet e atyre që menduan ndryshe nga kryetari, për vendimet arbitrare, për kundërshtimin masiv të demokratëve në rrethe, për mbylljen e dyerve për deputetët apo për mundësinë e zgjedhjeve të reja në parti.

Manekinët i kanë vënë të recitojnë. Modeli ka qenë i gatshëm dhe është kopjuar pikë për pikë nga Partia Socialiste. Njësoj siç ndodhi në PS, gjasat janë që në krye të strukturave të ardhshme drejtuese të Partisë Demokratike të jenë manekinët politikë. Problemi është se përballë origjinalit, kopja nuk ka asnjë shans të fitojë./Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here