Përfitonin deri në 300 mijë euro, policia zbulon laboratorin e falsifikimit të dokumenteve

0
109

Në Lezhë, policia ka zbuluar një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara. Po ashtu, është zbuluar edhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.

Blutë bëjnë me dije se në pranga kanë rënë shtetasit Pertef Musabelli, Henri Haxhiraj, Arjan Refugjati dhe Erigesji Moriga.

Ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit Artur Terziu dhe Ilir Mata.

Policia e Lezhës bën me dije se këta persona, kanë përfituar shuma të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro nga shtetas të huaj të cilët binin pre e mashtrimit të këtij grupi.

Operacioni i koduar “Identiteti” ka ardhur pas një hetimi 3-mujor nga Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë e Forcës Operacionale, DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas një hetimi 3-mujor, operacioni policor i koduar “Identiteti”.

Operacioni nga Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë e Forcës Operacionale, DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, mashtrimeve kompjuterike dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Zbulohet një laborator i dyshuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit dhe një ambient ku ushtrohej aktiviteti i dyshuar i mashtrimit kompjuterik.

Vihen në pranga 4 shtetas, shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë.

Sekuestrohen dokumente dhe fotokopje dokumentesh të huaja dhe shqiptare, të dyshuara të falsifikuara, pajisje kompjuterike, laptopë dhe karta bankash të huaja.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e krimeve ekonomike e financiare, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, nga specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, nisi procedimi penal për goditjen e veprimtarinë së paligjshme të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimeve kompjuterike, nga disa persona.

Pas një hetimi proaktiv 3-mujor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, nga ana e DVP Lezhë, mbështetur nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës Operacionale në DPPSH, DVP Tiranë dhe Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Identiteti” në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

P. M., 61 vjeç, banues në Tiranë, H. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, A. R., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe E. M., 21 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim policor dhe punohet për kapjen e shtetasve: A. T., 52 vjeç, banues në Elbasan dhe I. M., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë operacionit është zbuluar një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Mashtrimi kompjuterik”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here