‘Pse nuk janë sekuestruar Inceneratori i Tiranës dhe Fierit, ashtu siç është sekuestruar Albtek Energy dhe ITS të Inceneratorit të Elbasanit?’
Kjo është pyetja që kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka për SPAK.
Përmes një deklarate, Kryemadhi thotë se aktiviteti financiar i dy inceneratorëve është i njëjtë me atë të Elbasanit, pra, këto kompani janë të lidhura me ITS e Klodian Zotos.
“SPAK kreu një punë shumë të mirë në fund të vitit 2021, duke vendosur sekuestro preventive mbi kompanitë në administrim të Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, të dyshuar në lidhje me rastin e inceneratorit të Elbasanit, për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
Albtek Energy dhe ITS, kanë zhvilluar aktivitet financiar me kompani fiktive, të krijuara nga Ish Ministri i Mjedisit Koka dhe njerëz të lidhur me të, për të grabitur paratë e qytetarëve.
Mirëpo, të njejtat kompani fiktive kanë ndërvepruar edhe me Inceneratorët e Tiranës dhe Fierit. Tabela e mëposhtme të shërbejë si një rikujtesë për organet e drejtësisë, pasi koha nuk premton dhe duhet vepruar sa më shpejt, për të shpëtuar sa më shumë nga taksat e qytetarëve”, tha Kryemadhi.