Federata shqiptare e Futbollit publikoi 3 ditë më parë, më 24 janar audiopërgjimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili kërcënoi hapur institucionin e futbollit me një fjalor rruge gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e 23 janarit 2022 në prag të zgjedhjeve për shoqatën e Tiranës.
“Në këtë sallë jemi të paktën 40 vota. 80 burra për 40 vota. Unë me këtë sallë fitoj Tiranën e gjithë Shqipërinë jo më në shoqatë të vogël” dëgjohet të thotë Veliaj në audiopërgjim.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se është tronditur nga ajo që ka ndodhur.
Shehi: Këtu nuk ka ngelur gjë për tu habitur se këto i kanë bërë të gjitha. Shoh një kryetar bashkie që në mënyrë arrogante i turret atyre, i turret kundërshatrëve që nuk është normale për atë vetë. Unë besoj që edhe ai do jetë bërë pishman për atë trimërinë e kotë që ka treguar atje, e cila nuk është normale për një njeri që pretendon se është burrë shteti. E keqja e kësaj pune është që ky ju turr edhe drejtësisë, e përdori si mjet shantazhi kundër një pale të caktuar dhe nuk dëgjova të reagojnë nga SPAK. Drejtësia duhet të kishte reaguar formalisht për të ruajtur indipendencën e vet. Fakti që drejtësia hesht tregon që është e dobët dhe e keqpërdorur.
Zoti Shehi tha se ajo që e tremb më shumë është presioni, dhuna me të cilën shteti i përdor të gjitha.
Shehi: Këta kontrollojnë çdo gjë dhje po përdorin çdo gjë. Kjo është e frikshme! Kur e bëjnë këtë për topin e futbollit, për të kontrolluar federatën, imagjino se çfarë kanë bërë për zgjedhjet, për pushtetin. Dhe imagjino se çfarë do të bëjnë për zgjedhjet që do vijnë tani. Ka mënyra të ligjshme për të transferuar dikë nga një funksion, por nuk mund të përdorin gjithë këto mjete të paligjshme. Nuk bëhet gjithë kjo gjullurdi, nuk tronditet gjithë shteti. Është e frikshme ta mendosh se sa energji negative janë organizuar, se sa para të shtetit, se sa nëpunës shteti po konsumohen për çështjen e Federatës. Imagjinoni se ç’bëjnë për karrigen e pushtetit.