Presidenti Ilir Meta ka reaguar për sulmet kibernetike ndaj sistemeve të disa prej mediave në Shqipëri. Meta e ka konsideruar këtë si një “model të neveritshëm” që përdorej kundër atyre mediave që kritikonin qeverinë dhe bashkinë e Tiranës.
Ai shtoi në reagimin e tij se këto lloj sjelljesh ndaj medias meritonin ndëshkim ligjor dhe më poshtë solli në vëmendje edhe raportet ndërkombëtare për lirinë e medias në Shqipëri.
Reagimi i Plotë nga presidenti Ilir Meta:
Solidarizohem me shqetësimin serioz të komunitetit të gazetarëve të pavarur, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe dënoj me ashpërsi sulmet kibernetike dhe presionet e gjithëanshme ndaj disa mediave online kritike me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.
Ky model i neveritshëm i dhunimit të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së medias, që synon vendosjen e tyre nën kontroll nëpërmjet presionit, dhunës e shantazhit, në shkelje flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe Konventave ku aderon vendi ynë, meriton nga drejtësia një përgjigje të qartë dhe të menjëhershme ligjore.
Duke sjellë në vëmendje regresin vit pas viti të Shqipërisë në raport me lirinë e medias, pa garantimin e së cilës nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, i ftoj organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve të mbështesin kolegët e pavarur dhe kurajozë shqiptarë, të cilët si gjithmonë do të më kenë në krah në përpjekjet e përbashkëta për demokratizimin dhe europianizimin e plotë të vendit.
Dhunimi në rritje i lirisë së mediave ka ndihmuar në rritjen dramatike të korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Të gjithë të bashkohemi për lirinë e medias dhe të refuzojmë orkestruesit e dhunës dhe censurës!